Enj. Nën 22nd, 2018

Infrastruktura-Beci: Në qarkun e Vlorës do të investohen 16 milionë euro

TIRANË, 10 nëntor .- Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) vetëm në qarkun e Vlorës në jug të vendit, ka parashikuar të investojë 16 milionë euro gjatë vitit 2019, për zhvillimin e infrastrukturës rrugore, trashëgiminë kulturore dhe rikualifikimin urban.

Drejtori i FSHZH, Benet Beci gjatë prezantimit të buxhetit të vitit 2019 në qytetin e Vlorës, tha se investimet në infrastrukturën rrugore përfshijnë një sërë projektesh të rëndësishme.

“Në fillim të vitit 2019 do të përfundojë loti i parë i rrugës së Lumit të Vlorës nga Bypass-i deri në Gjorm. Rruga Brataj-Ura e Laskos, 27km e gjatë, Ura e Laskos-Qeparo dhe Ura e Laskos–Kuç, 24 km e gjatë”, – tha Beci.

Gjithashtu, bëri të ditur drejtori i FSHZH-së, do të përfundojë edhe rikonstruksioni i rrugës Peshkëpi – Selenicë – kryqëzimi Levan–Telepenë, 16 km i gjatë.

Ndërkohë që brenda në qytetin e Vlorës do të përfundojë rikonstruksioni i qendrës historike të qytetit në drejtim të rrugës “Justin Godart”, që do të shtrihet edhe në drejtim të rrugës së Kullës së Sahatit.

Beci tha se, aktualisht ka përfunduar projekti për zgjatimin e Lungomares në drejtim të tunelit dhe së shpejti fillon puna për zbatimin e investimit.

Ndërsa për rikualifikimin urban të vijës bregdetare nga Vlora deri në Orikum, FSHZH parashikon të investojë rreth 22 milionë euro.

“Vitin e ardhshëm do të përfundojë faza e dytë e rikonstruksionit të rrugës ‘Ramize Gjebrea’, që lidh zonën e Pyllit të Sodës me Transballkaniken, duke i dhënë akses gjithë kësaj zone me potencial turistik të jashtëzakonshëm, por ende të pashfrytëzuar mirë”, – deklaroi Beci. /e.xh//e.caushi/

Kategori