Mashtrim financiar në Peru: Ish-ylli i Barcelonës dhe kampioni i Botës, Andres Iniesta, nën akuzë
Andres Iniesta, ish-ylli i kombëtares spanjolle dhe të Barcelonës, si dhe kampion bote me Spanjën, po përballet me akuza për mashtrim financiar. Autoritetet peruanë kanë ngritur akuza kundër tij dhe kompanisë së tij për një shumë prej 500,000 euro.
Sipas raporteve të mediave lokale, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Peru ka nisur një hetim kundër kompanisë “Never Say Never”, ku Andres Iniesta figuron si bashkëthemelues dhe bashkëpronar.
Çështja ka lindur pas investimeve të bëra nga biznesmenë dhe kompani peruane, të cilat i kanë depozituar 600,000 dollarë kompanive të lidhura me ish-mesfushorin spanjoll. Këto fonde ishin dedikuar për organizimin e ngjarjeve sportive dhe muzikore, të cilat, sipas ankesave, nuk u realizuan kurrë.
Pak kohë më pas, kompania “Never Say Never” shpalli falimentin, duke lënë investitorët pa kthimin e parave të tyre. Investitorët pretendojnë se emri dhe imazhi i Iniestas janë shfrytëzuar për të tërhequr investime dhe për t’i dhënë kredibilitet sipërmarrjes.
Zyra e Prokurorit peruan deklaron se reputacioni dhe prestigji i ish-asit të Barcelonës janë shfrytëzuar padrejtësisht për qëllime komerciale.
Deri më tani, Andres Iniesta nuk ka bërë një deklaratë personale lidhur me akuzat. Megjithatë, kompania e tij ka lëshuar një komunikatë ku mohon akuzat.
“Na vjen keq që ky informacion u publikua me qëllim keqdashje, duke synuar shfrytëzimin e imazhit të një figure publike,” thuhet në deklaratën e kompanisë, e cila shton: “Jemi të bindur se autoritetet peruane do ta sqarojnë së shpejti rastin.”
