Lejohen ndërtime pa leje, kryeinspektori dhe dy inspektorë të IMT-së dërgohen në gjyq
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Shkodër, ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq një punonjës të policisë së shtetit, kryeinspektorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe dy inspektorë.
Ata akuzohen për veprat penale të “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallëzim krimi”, bazuar në nenet 248 dhe 300 të Kodit Penal.
Në kuadër të procedimit penal nr. 457/2025, bazuar në materialin e referuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, rezultoi se më datë 09.04.2025, informacionet operative treguan se në disa raste, shtetas të ndryshëm në fshatin Pistull dhe Paçram të Njësisë Administrative Hajmel, Bashkia Vau i Dejës, kryenin ndërtime pa leje. Mbështetja për këta shtetas dyshohet se u është dhënë nga punonjësi i policisë në Komisariatin e Policisë Vau i Dejës dhe nga inspektorët e IMT-së.
Në përfundim të hetimeve, u provuan elementët e veprës penale të dyshuar dhe u morrën të pandehur shtetasit:
- A.D., punonjës i policisë së shtetit, me detyrë ndihmës specialist i policimit në komunitet, pranë Komisariatit të Policisë Vau-Dejës. Ai akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Moskallëzimi i krimit” sipas nenit 300 të Kodit Penal dhe “Shpërdorim i detyrës”, sipas nenit 248 të Kodit Penal, me rrethana rënduese sipas gërmave “dh”, “gj”, “h” të nenit 50 të Kodit Penal. Ai është nën masën e sigurimit personal shtrënguese “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, sipas nenit 234 të Kodit Procedurës Penale.
- M.L., me detyrë kryeinspektor pranë IMT-së në Bashkinë Vau-Dejës. Ai akuzohet për veprat penale të “Moskallëzimi i krimit” dhe “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga nenet 300-25 dhe 248 të Kodit Penal, me rrethana rënduese sipas gërmave “dh”, “gj”, “h” të nenit 50 të Kodit Penal. Ai është nën masën e sigurimit personal shtrënguese “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
- J.H., me detyrë inspektore pranë IMT-së në Bashkinë Vau-Dejës. Ajo akuzohet për veprat penale të “Moskallëzimi i krimit” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga nenet 300-25 dhe 248 të Kodit Penal, me rrethana rënduese sipas gërmave “dh”, “gj”, “h” të nenit 50 të Kodit Penal. Ajo është nën masën e sigurimit personal shtrënguese “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
- D.Ll., me detyrë inspektor pranë IMT-së në Bashkinë Vau-Dejës. Ai akuzohet për veprat penale të “Moskallëzimi i krimit” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga nenet 300-25 dhe 248 të Kodit Penal, me rrethana rënduese sipas gërmave “dh”, “gj”, “h” të nenit 50 të Kodit Penal. Ai është nën masën e sigurimit personal shtrënguese “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
- B.D., i akuzuar për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” sipas nenit 301 të Kodit Penal.
