Institucionet e drejtësisë mohojnë të jenë hakeruar nga Homeland Justice
Disa nga institucionet e drejtësisë, për të cilat grupi “Homeland Justice” pretendoi se i kishte hakeruar përmes postimeve në Telegram, mohojnë të kenë konstatuar ndonjë gjurmë sulmi kibernetik dhe shtojnë se do të vijojnë me verifikime të mëtejshme.
Institucionet e drejtësisë shqiptare mohuan të jenë sulmuar të martën, më 31 korrik, nga hakerat me origjinë iraniane që administrojnë llogarinë “Homeland Justice” në Telegram.
Sipas postimeve të “Homeland Justice” në Telegram, të cilat janë bërë paraditen dhe mesditën e të martës, ata pretenduan se kishin hakeruar dhe kishin nën kontroll sistemin online të Prokurorisë së Përgjithshme, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe të gjitha gjykatave.
Prokuroria e Përgjithshme bëri të ditur se nga verifikimet e kryera nga ekspertët e sigurisë IT, deri rreth orës 12:40, nuk ishin konstatuar gjurmë komprometimi në formën e hakimit.
Pak më vonë, reagoi edhe Gjykata e Lartë me një njoftim të shkurtër, ku bënte të ditur se nuk kishte pasur ndonjë sulm kibernetik në sistemin e brendshëm apo në faqen zyrtare të kësaj gjykate.
Edhe Këshilli i Lartë i Gjyqësorit (KLGj) dhe Këshilli i Prokurorisë (KLP) mohuan të kenë gjetur ndonjë gjurmë hakimi në sistemet e tyre të brendshme apo në faqen gjykata.gov.al. Sipas këtyre institucioneve, të gjitha sistemet janë funksionale dhe nga verifikimet e kryera deri në mesditë nuk ishte konstatuar ndonjë sulm kibernetik.
Megjithatë, burime pranë KLGj dhe KLP pohuan se monitorimi do të vazhdonte.
“Homeland Justice”, sipas dy raporteve të Microsoft dhe FBI, janë identifikuar si hakerë me origjinë iraniane. Që prej vitit 2022, ata kanë kryer disa sulme kibernetike të njëpasnjëshme ndaj institucioneve shtetërore shqiptare, apo edhe zyrtarëve të lartë publikë në vend, duke publikuar të dhëna sensitive në Telegram.
