VIDEO/ Spektakël në “San Siro”: Zielinski i dhuron fitoren Interit në fund, Juventusi bie në finish!
Ndeshja mes Interit dhe Juventusit në “San Siro” ishte padyshim kryendeshja e javës në Serie A, si për pozitat në klasifikim ashtu edhe për rivalitetin historik që e ka kthyer atë në “Derbin e Italisë”. Takimi nuk zhgënjeu, duke ofruar spektakël ku nuk mungoi asgjë: autogol, karton i kuq, shtyllë dhe pesë gola. Në fund, fitues dolën zikaltrit milanezë, në një sfidë të karakterizuar edhe nga tensioni.
Zikaltrit iu afruan këtij takimi si kryesues, me objektivin për të thelluar avantazhin ndaj ndjekësve. Ndërsa Juventusi synoi të kthehej te fitorja për të ruajtur vendin në katërshen e parë, e pse jo, edhe për të rihapur garën për titullin.
Ndeshja nisi me autogol të lojtarit të Juventusit, Cambiaso, i cili megjithatë korrigjoi gabimin duke barazuar në minutën e 26-të të pjesës së parë. Në minutën e 42-të, Juventusi mbeti me 10 lojtarë pas kartonit të dytë të verdhë për Kaluilin, ngjarje që krijoi polemika brenda dhe jashtë fushës. Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1.
Pjesa e dytë solli plot emocione me tre gola të tjerë. Esposito në minutën e 76-të kaloi Interin në avantazh, por shtatë minuta më vonë Locatelli barazoi rezultatin. Dhe kur dukej se ndeshja po shkonte drejt barazimit, ishte polaku Zielinski në minutën e 90-të që dhuroi tre pikëshin për Interin, duke i lejuar ata të vijojnë të kryesojnë garën për titullin.
INTER-JUVENTUS 3-2
- Golat e Interit: Cambiaso (autogol) 17′, Pio Esposito 76′, Zielinski 90′
- Golat e Juventusit: Cambiaso 26′, Locatelli 83′
(Ky artikull është bazuar në informacionin e ofruar nga Panorama Sport)
