Interi kërkon përforcime në mbrojtje, pritet të bëjë të paktën dy afrime.
Francesco Acerbi dhe Stefan de Vrij pritet të largohen në fund të kontratës, ndërsa për Alessandro Bastonin ka shfaqur interes Barcelona.
Drejtuesit Giuseppe Marotta dhe Piero Ausilio kanë disa emra në listë për të forcuar prapavijën:
- Mario Gila: Mbrojtësi i Lazios, me një profil të ngjashëm me Bastonin, është një nga emrat më të fundit dhe kërkohet edhe nga Milani. Ai luan zakonisht në një mbrojtje me katër, por ka aftësi të dalë përpara me topin dhe të kontribuojë në fazën sulmuese. Pyetja është nëse mund të përshtatet në një mbrojtje me tre dhe të luajë rolin e Bastonit. Përgjigjja duket pozitive, edhe pse është më defensiv. Me një mesatare të lartë rikuperimesh dhe prezencë në zonën kundërshtare, ai përfaqëson një opsion të besueshëm. Vlera e tij është rreth 25 milionë euro.
- Oumar Solet: Mbrojtësi aktualisht te Udineze, ai ka treguar formë të shkëlqyer këtë sezon. Ka shënuar edhe në “San Siro” dhe është përballur më parë me Interin në Champions me Red Bull Salzburg. Mbrojtësi francez spikat për driblimet, rikuperimet dhe aftësinë për të avancuar me topin, duke u krahasuar shpesh me Jan Biesse. Kostoja e tij është rreth 15 milionë euro.
- Tariq Hujaj: Aktualisht te Sassuolo, ai është një nga zbulimet e sezonit. Lindur në vitin 2003, ai ofron perspektivë afatgjatë dhe fleksibilitet, duke qenë i majtë dhe i aftë të luajë si qendërmbrojtës apo në krah. Spikat për pastrimet dhe ndërhyrjet, ndërsa interes për të ka edhe Juventusi, që ruan një përqindje të shitjes së ardhshme. Vlera e tij llogaritet rreth 25-30 milionë euro.
- Joël Ordoñez: Më i riu në listë, luan te Club Brugge dhe spikat për fizikun (1.88 m), forcën dhe aftësinë në duelet ajrore. Ai është gjithashtu i përfshirë në ndërtimin e lojës, falë saktësisë në pasime. Interi e ndjek prej kohësh dhe mund të bëjë lëvizjen në verë, me një kosto rreth 20-25 milionë euro.
Në përfundim, zikaltërit po vlerësojnë disa profile të ndryshme, mes eksperiencës dhe rinisë, për të rindërtuar një repart mbrojtës që pritet të ndryshojë ndjeshëm në sezonin e ardhshëm.
