Internet Fiks: Shpejtësia Minimale në Kontratë Mbron Konsumatorin

Interneti fiks: Kontratat e shërbimit duhet të përcaktojnë edhe shpejtësinë minimale

Ofruesit e shërbimit të internetit duhet të specifikojnë në kontratën e shërbimit edhe shpejtësinë minimale për shkarkimin dhe ngarkimin e të dhënave.

Ky detyrim parashikohet në ligjin e ri “Për komunikimet elektronike”, i miratuar në fund të vitit 2024. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) e ka përfshirë këtë dispozitë në rregulloren e re për “Përcaktimin e modelit të përmbledhjes së kontratës për t’u përdorur nga ofruesit e shërbimeve të komunikimeve elektronike publike”.

Sipas anekseve të rregullores:

  • Për shërbimin e aksesit në internet në rrjet fiks, kontrata duhet të përfshijë shpejtësinë minimale, atë normalisht të disponueshme dhe maksimale për shkarkimin dhe ngarkimin.
  • Në rastin e rrjeteve celulare, do të përfshihet shpejtësia maksimale e vlerësuar e shkarkimit dhe ngarkimit për shërbimin e aksesit në internet.

Deri më sot, shpejtësia e përcaktuar në kontratat e shërbimit të internetit me linja fikse i referohej vetëm shpejtësisë maksimale të parashikuar, përkatësisht për shkarkimin dhe ngarkimin e të dhënave. Megjithatë, në praktikë, shpejtësia reale e internetit është e ndryshueshme dhe shpesh larg asaj maksimale të parashikuar në kontratë.

Kuadri i ri ligjor tashmë përcakton edhe detyrimin për të specifikuar një shpejtësi minimale të lidhjes.

Ligji gjithashtu parashikon se çdo mospërputhje e rëndësishme, e vazhdueshme ose e përsëritur rregullisht, midis cilësisë aktuale të shërbimit të aksesit në internet dhe asaj të parashikuar në kushtet e kontratës, do të konsiderohet si mospërputhje e performancës. Kjo do të mundësojë konsumatorin të ushtrojë mjetet juridike të disponueshme, në përputhje me legjislacionin kombëtar.

Ky parashikim synon të mbrojë konsumatorët në rastet kur operatori nuk ofron cilësinë e shërbimit të parashikuar në kontratë.

Sipas të dhënave më të fundit nga AKEP, në fund të muajit shtator 2025, numri i abonentëve të internetit me linja fikse arriti rreth 710 mijë. Ky numër është në rritje me 2.4% krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe 7.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Tregu i internetit nga linjat fikse vazhdon të ndjekë një tendencë të qëndrueshme rritjeje, duke ngushtuar pjesërisht prapambetjen në depërtimin e linjave fikse të komunikimit.

Tregu në përgjithësi po shfaq rritje dhe konkurrencë të lartë, veçanërisht në qendrat e mëdha urbane, ku popullsia është më e përqendruar. Operatorët kanë rinovuar gradualisht infrastrukturën drejt teknologjive më të reja si fibra optike, gjë që ka ndikuar në rritjen e shpejtësisë mesatare të lidhjes për përdoruesit.

Sipas të dhënave më të fundit për shpejtësinë e internetit, në fund të vitit 2024:

  • Rreth 84% e pajtimtarëve kishin linja me shpejtësi më të madhe se 30 Mbps (megabit për sekondë), krahasuar me 69% në fund të vitit 2023.
  • 42% e pajtimtarëve zotërojnë lidhje me shpejtësi mbi 100 Mbps, krahasuar me 28% në vitin 2023.
  • Rreth 69% e lidhjeve të internetit nga rrjetet fikse mbështeten në teknologjinë e fibrës optike.
Scroll to Top