Die. Dhj 9th, 2018

Interpelanca me ministrin Ahmetaj, Braçe: Ligjshmëri financiare në FSHF

TIRANË, 11 tetor /ATSH- I. Vata/ – “Që nga muaji i shkuar jam përpjekur të kërkoj informacione  për ligjshmërinë fiskale të FNSH-së, por nuk marrim një përgjigje të qartë për përputhshmërinë me ligjin të këtij institucioni”, u shpreh deputeti i PS-së Erjon Braçe në fjalën e tij në lidhje me interpelancën e kërkuar me ministrin e Financave, në Kuvend.

Në Interpelancën me ministrin e Financave dhe të Ekonomisë, deputeti i PS-së, Braçe u shpreh se duke iu referuar Kushtetutës së Shqipërisë, nenit 155 të saj, thuhet se taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore, lehtësimi apo përjashtimi i kategorive të caktuar si dhe mënyra e mbledhjes së tyre caktohet me ligj, pra është e qartë prej Kushtetutës se  nuk ka asnjë autoritet politik, ekzekutiv në nivel të lartë, duke filluar nga ministri, apo në nivel të ulët përfunduar te një inspektor i organeve fiskale që të përjashtojë nga detyrimi i pagimit të tatimeve dhe taksave individë, shoqëri apo shoqatë që është subjekt i ligjeve fiskale të këtij vendi”.

Po ashtu, Braçe shton se “Kushtetuta ka parashikuar barazinë fiskale për cilindo subjekt të ligjit. Ligjshmëria fiskale për çdo subjekt është thelbi i kësaj barazie, pra të trajtuarit  e  të gjithëve njësoj, ligjërisht në zbatim me ligjet e votuara në Kuvendin e Shqipërisë që është autoriteti i vetëm që vendos nivelin e tatimeve dhe të taksave por dhe nga ana tjetër dhe rrethin e subjekteve të tatueshëm”

Po e theksoj, tha Braçe, ligjin sepse ka një përpjekje të përbotshme nga UEFA përmes zbatimit të ligjit për të luftuar evazionin fiskal por dhe pabarazinë që vjen nga zbatimi selektiv i ligjit nga subjektet e tij që kanë për detyrim për të paguar taksat.

Duke sjellë shembuj të ndëshkimit të evazionit fiskal, Brace thekson se  Federata Shqiptare e Futbollit është një nga institucionet më të rëndësishme në këtë vend, një nga institucionet që organizon gara të rëndësishme dhe përfaqëson flamurin e këtij kombi në aktivitete ndërkombëtare, pa më të voglin diskutim duhet të referonte ligjshmërinë fiskale por edhe modele  të qenësishme të respektimit të ligjeve fiskale. “Që nga muaj shkurt jam përpjekur të kërkoj informacione pikërisht për këtë aspekt të këtij institucioni për ligjshmërinë fiskale të këtij institucioni por nuk marrim një përgjigje të qartë për përputhshmërinë me ligjin të këtij institucioni, të FSHF-së”, tha Braçe. /j.p/

Kategori