Investim 2M€ në fotovoltaikë për Ujësjellësin e Elbasanit

Kostot e energjisë, ujësjellësit investojnë në fotovoltaikë, projekt 2 milionë euro

Fatura e lartë e energjisë elektrike, e cila përbën një nga kostot më të rëndësishme për ujësjellësit, sidomos ata që mbështeten në pompimin e ujit, po i shtyn këta të fundit drejt investimeve në teknologjinë fotovoltaike. Një shembull konkret është Ujësjellësi i Elbasanit, i cili së fundmi ka lidhur një kontratë me vlerë rreth 2 milionë euro (197.1 milionë lekë) për të rritur efikasitetin dhe për të instaluar panele fotovoltaike.

Ky investim ka si qëllim kryesor uljen e kostos së energjisë së nevojshme për pompimin e ujit, duke u fokusuar në përmirësimin e pajisjeve elektromekanike dhe prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme, si dielli.

Një raport teknik i projektit thekson se vetëm sistemet në Mengel/Frigorifer, Krastë e Vogël, Cërrik dhe Peqin, përgjegjëse për rreth 75% të konsumit të energjisë në sistemet e furnizimit me ujë të rajonit të Elbasanit, kërkojnë vëmendje të veçantë. Gjatë fazës së auditimit, ndërhyrjet e propozuara synuan uljen e konsumit përmes përdorimit të pompave më efikase dhe integrimit të energjisë diellore.

Në Krastë të Vogël, një nga ndërhyrjet e detajuara përfshin zëvendësimin e pompave ekzistuese dhe rehabilitimin e infrastrukturës së stacionit të pompimit. Vlerësimet paraprake nga faza e projekt-idesë sugjeronin se vetëm përmirësimi i procesit të pompimit mund të sillte një reduktim prej 34.2% të energjisë së konsumuar, duke rezultuar në kursime vjetore prej rreth 428 MWh, ose afërsisht 50,500 euro.

Instalimi i paneleve fotovoltaike ofron një burim shtesë kursimi. Sipas modelimeve të bëra, për një instalim që mbulon 25% të konsumit neto të energjisë në Krastë të Vogël, parashikohej një reduktim total prej 50.6% të konsumit të energjisë (duke përfshirë përmirësimin e pompave), me një kursim vjetor prej rreth 634 MWh.

Nxitja drejt investimeve në fotovoltaikë

Zgjedhja e teknologjisë fotovoltaike lidhet drejtpërdrejt me profilin e sektorit të ujësjellësve, të cilët janë konsumatorë të mëdhenj të energjisë elektrike për shkak të nevojës për ngritje dhe transport mekanik të ujit. Autoritetit Rregullator të Energjisë (ERRU), në raportet e tij vjetore, e ka identifikuar energjinë elektrike si një nga zërat kryesorë të kostove operative për ujësjellësit, duke rekomanduar kryerjen e auditimeve të efikasitetit, identifikimin e pajisjeve me konsum të lartë energjie dhe investime në pajisje më efikase dhe burime të ripërtëritshme.

Pesha e këtyre kostove reflektohet edhe në nivelin e subvencioneve. Sipas Raportit Vjetor 2025 të ERRU, 88.8% e fondit prej 350 milionë lekësh të alokuar për subvencione në sektorin e ujësjellësve u shfrytëzua për mbulimin e kostove të energjisë elektrike. Ujësjellësi i Elbasanit ishte mes gjashtë shoqërive që përfituan nga kjo skemë, e cila synon të mbështesë operatorët ku mbi 75% e ujit prodhohet me ngritje mekanike.

Scroll to Top