Investim Tuneli Llogara: Dyshime, Skualifikime dhe Probleme Ligjore

Investigimi për tunelin e Llogarasë: Kompania turke u regjistrua ditën që nisi puna

Katër muaj pas anulimit të tenderit të parë për tunelin e Llogarasë dhe 21 ditë pas vizitës së Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me kryeministrin Edi Rama, në Ankara, ku u takuan me përfaqësues të kompanisë turke, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shpallur sërish procedurën tenderuese.

Më datë 24 qershor 2021, në sistemin e prokurimeve publike të Agjencisë së Prokurimeve Publike, u çel tenderi për pranimin e ofertave për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, me fond limit 18.967.810.952,08 lekë pa TVSH. Afati i fundit për paraqitjen dhe hapjen e ofertave ishte data 28 korrik 2021.

Rezulton se, ditën e hapjes së ofertave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka marrë pesë oferta:

  • JV Concord Engineering & Contracting, Alb-Building sh.p.k. dhe Alb-Star sh.p.k., me ofertë 15.848.808.298,78 lekë.
  • Albanian Glob Affaire, me ofertë 18.000.000.000 lekë.
  • JV INTEKAR dhe ASL INSAAT, me ofertë 17.036.526.000 lekë.
  • LIMAK, me ofertë 18.690.597.185,62 lekë.
  • Power Construction Corporation China, me ofertë 22.000.000.000 lekë.

Pas vlerësimit të ofertave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli fitues ofertën 17 miliardë lekë, të paraqitur nga konsorciumi turk INTEKAR – ASL. Oferta më e ulët, prej 15.8 miliardë lekë, e paraqitur nga një bashkim operatorësh shqiptarë, u skualifikua me arsyetimin se nuk përmbushte kriterin e parashikuar në pikën 2.3.c, pra mungesën e përvojës për ndërtimin e urave me gjatësi mbi 120 m. Ky kusht u hoq për kompaninë turke fituese gjatë fazës së plotësimit të dokumenteve.

Nga verifikimi i kontratave publike të zbatuara nga operatorët shqiptarë, rezulton se ata kanë pasur përvoja të mëparshme në zbatimin e punëve të ngjashme, përfshirë edhe ndërtimin e urave. Në këto kushte, ngrihen dyshime të arsyeshme se skualifikimi i bashkimit operatorësh shqiptarë, me ofertën 12 milionë euro më të ulët se operatorët fitues, është bërë pasi fituesi ishte paracaktuar.

Me qëllim dhënien e tenderit fituesit të paracaktuar – konsorciumit INTEKAR – ASL, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, me titullare Belinda Balluku, fillimisht mori përsipër realizimin e procedurave të prokurimit publik për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, megjithëse në listën e investimeve për vitet 2021–2023 dhe ligjin për Buxhetin e Shtetit ishte parashikuar si autoritet kontraktor Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), i cili kishte eksperiencën, burimet njerëzore dhe ekspertizën më të specializuar.

Disa ditë përpara përfundimit të afatit të ofertave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ndryshoi kriteret e tenderit për të orientuar drejt një operatori të vetëm fitues. Ministria shpalli fitues konsorciumin turk, duke skualifikuar një bashkim operatorësh shqiptarë me ofertë 12 milionë euro më të ulët dhe me shkaqe të dyshimta skualifikimi.

Edhe pse kriteret ishin paracaktuar për të prodhuar një fitues të vetëm – konsorciumin INTEKAR – ASL – rezulton se këto dy kompani nuk përmbushnin të paktën dy prej kritereve të dokumenteve standarde të tenderit, që kishin të bënin me xhiron mesatare vjetore dhe eksperiencat për punë të ngjashme, sa i përket sasisë dhe vlerës.

Më tej, nga verifikimi i dokumenteve rezulton se kompania e shpallur fituese nga Belinda Balluku nuk ishte regjistruar ende në Shqipëri. Ndërsa u regjistrua pjesëmarrëse në tender në qershor 2021, kompania INTEKAR ASL filloi të ekzistonte ligjërisht në Shqipëri vetëm në nëntor 2021. Në datën 8 nëntor 2021, konsorciumi turk themeloi degën e tij në Shqipëri “INTEKAR – ASL”. Kompania INTEKAR YAPI TURIZM ELEKTRIK INSAAT zotëron 30% të aksioneve, me përfaqësues Serkan Çam, dhe kompania ASL INSAAT TAAHHUT zotëron 70% të “INTEKAR ASL”, me përfaqësues Abdulkadir Kart.

Situata bëhet edhe më skandaloze për faktin se, teksa kompania fituese nuk kishte marrë kontratën në dorë, kryeministri Edi Rama u shfaq në Qafën e Llogarasë për të inauguruar nisjen e punimeve. Kompania u regjistrua në Shqipëri në datë 8 nëntor 2021; po në ditën e themelimit u lidh kontrata për nisjen e punimeve, ndërsa vetëm 6 ditë më pas, në datë 14 nëntor, kryeministri Rama do të shpërthente dinamitin për hapjen e tunelit, ku punimet kishin nisur që më herët për përgatitjen e infrastrukturës ndihmëse.

Sipas të dhënave, kompania INTEKAR ka përfituar pagesën e parë në datën 07.01.2022. Ndërkohë, sipas përshkrimeve të pagesave të Thesarit, Akt Dorëzimi mban datën 15.11.2021, pra brenda 24 orëve nga ceremonia e inaugurimit nga kryeministri Rama.

Duke marrë shkas nga kjo pagesë e parë, e cila specifikon Situacionin e parë të lëshuar nga kompania INTEKAR dhe i pranuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, rezulton se kompania – përpara se të fillonte punimet – duhet të kishte një leje ndërtimi të miratuar, dhe më pas këto situacione duhej të miratoheshin nga supervizori.

Sipas investigimit, leja e ndërtimit u miratua në prill të vitit 2022, me Vendimin nr. 04, datë 26.04.2022, të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), me objekt “Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë”. KKT miratoi me kusht Lejen e Ndërtimit, duke e dhënë dokumentin vetëm pas plotësimit të dokumentacionit tekniko-ligjor dhe pagesës së taksës së ndikimit në infrastrukturë.

Në datën 26.04.2022, kemi një leje ndërtimi të miratuar me kusht. Nëse nuk plotësohen këto kushte, leja nuk zbardhet dhe kompania INTEKAR nuk mund të kryente asnjë punim. Megjithatë, nga data 07.01.2022 deri në 15.04.2022, shoqëria INTEKAR ka depozituar 4 situacione të tjera, për të cilat Ministria e Belinda Ballukut ka kryer pagesa në vlerën 1.5 miliardë lekë (15 milionë euro), ndërkohë që nuk kishte asnjë leje ndërtimi të miratuar.

Në këto kushte, Belinda Balluku, si titullare e ministrisë, e ka ekspozuar veten para veprës penale të shpërdorimit të detyrës.

E vërteta është se Belinda Balluku, si subjekti që kishte aplikuar për lejen e ndërtimit, nuk i kishte plotësuar kushtet edhe për tre vite të tjera. Leja është firmosur nga titullarja e AZHT, Adelajda Roko, në datën 28.05.2025, datë pas së cilës ligjërisht do të duhej të kishin nisur punimet. Çdo punim i kryer para kësaj date është ndërtim pa leje.

Këto shkelje ligjore, duke filluar nga Belinda Balluku e deri te zyrtarët më të ulët, do të duhej të hetoheshin nga SPAK, duke sqaruar nxitimin për abuzimin me 190 milionë eurot e taksapaguesve shqiptarë.

Scroll to Top