Investime Franceze në Shqipëri: Sektore Prioritare & Marrëveshje

Ministri Malaj i fton investitorët francezë të investojnë në sektorë prioritarë të ekonomisë shqiptare

Ministri i Financave, zoti Petrit Malaj, zhvilloi një takim zyrtar me Ministrin e Deleguar për Tregtinë e Jashtme dhe Atraktivitetin Ekonomik të qeverisë së Francës, zotin Nicolas Forissier, dhe delegacionin shoqërues.

Gjatë bisedimeve, palët diskutuan mbi ecurinë e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe mundësitë e forcimit të tij të mëtejshëm në të ardhmen. Fokus kryesor ishte integrimi evropian, zhvillimi i qëndrueshëm dhe nxitja e investimeve dypalëshe.

Ministri Malaj vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë franceze për Shqipërinë dhe reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare. Ai theksoi potencialin e konsiderueshëm për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Ministri i Financave i ftoi investitorët francezë të rrisin praninë e tyre në Shqipëri, duke investuar në sektorë prioritarë të ekonomisë siç janë turizmi, bujqësia, infrastruktura dhe dixhitalizimi.

Zoti Malaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen franceze ndaj progresit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ai përmendi veçanërisht mbështetjen publike të Presidentit të Republikës Franceze, Emmanuel Macron, për objektivin e Shqipërisë për përfundimin e procesit teknik të përafrimit me legjislacionin e BE-së deri në vitin 2027.

Një diskutim i veçantë iu kushtua rolit të Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD) në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, nëpërmjet projekteve të saj në fusha të ndryshme.

Që nga viti 2021, AFD ka angazhuar 330 milionë euro, duke përfshirë 270 milionë euro në mbështetje buxhetore, kryesisht përmes kredive të bazuara në politika për sektorët e energjisë, zhvillimit të gjelbër dhe politikave gjinore. Gjithashtu, 60 milionë euro janë dedikuar për investime në infrastrukturë.

Pesë marrëveshjet e nënshkruara me AFD janë hua sovrane. Tre prej tyre janë disbursuar plotësisht, ndërsa dy të tjerat janë aktualisht në proces disbursimi. AFD konsiderohet tashmë si një nga partnerët më strategjikë të zhvillimit për Shqipërinë.

Portofoli i bashkëpunimit me Francën pritet të zgjerohet ndjeshëm, duke kontribuar në sektorë të tillë si energjia, uji, dixhitalizimi, teknologjia e informacionit dhe mjedisi.

Scroll to Top