Ambasada e SHBA reagoi për deklaratën e Ramës: “Kinezët na shohin si pikë mjalti”
Ambasada amerikane në Tiranë ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me interesin e Kinës për Shqipërinë, veçanërisht në fushën e energjisë.
Në një koment për Top News, ambasada e SHBA ka vlerësuar investimin e fundit të kompanisë amerikane Clean World Professional për ndërtimin e një parku Eolik në zonën e Tropojës, me kapacitet 600 megavat. Në të njëjtën kohë, ambasada theksoi rëndësinë e nxitjes së transparencës dhe drejtësisë në Shqipëri, si faktorë kyç për tërheqjen e investimeve amerikane.
Në reagimin e saj, ambasada u shpreh:
- “Ambasada e Shteteve të Bashkuara mirëpret progresin në investimin e CWP-së, duke sjellë lidershipin amerikan në teknologjinë e energjisë në Shqipëri. Ne vazhdojmë të nxisim transparencë dhe drejtësi në mjedisin rregullator të Shqipërisë për ta bërë vendin më tërheqës për investitorët amerikanë.”
Deklarata e kryeministrit Rama u bë gjatë një ceremonie me kompaninë amerikane Clean World Professional, e cila po zbaton projektin për parkun Eolik në Tropojë. Rama tha atëherë se kinezët ia kanë vënë syrin Shqipërisë:
- “Po mos të ishte Shqipëria kaq e rëndësishme potencialisht, kinezët që janë civilizimi më i vjetër edhe tregtarët më të padiskutueshëm nuk do i kishin vënë syrin dhe nuk do e konsideroni Shqipërinë si “pikën e mjaltit” në gjithë Europën apo jo?”, theksoi Rama.
Në këtë aktivitet ishte e pranishme edhe e Ngarkuara me Punë e SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn.
