Die. Sht 23rd, 2018

Investimet përmirësuan furnizimin me energji dhe ulën humbjet në rrjet

 

TIRANË, 9 korrik /ATSH/ – Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, (ERE) Petrit Ahmeti, raportoi sot Kuvend mbi aktivitetin vjetor të këtij institucioni gjatë vitit 2017 në fushën e rregullimit të sektorit të energjisë elektrike dhe gazit natyror në vend.

Ahmeti tha se, investimet në sektorin elektroenergjetik kanë përmirësuar ndjeshëm furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve, ndërsa është ulur niveli i humbjeve në rrjet.

Konsumi total i energjisë elektrike për vitin 2017 është rritur me rreth 4.9 % krahasuar me vitin 2016. Konsumi i klientëve familjarë u rrit me rreth 2.6 %. Në tregun e hapur, me çmimet e tregut, janë blerë rreth 39.6 % të energjisë elektrike të konsumuar në vend.

Gjatë vitit të kaluar, tha ai, niveli total i arkëtimeve i raportuar nga OSHEE sh.a., është 96.6 % kundrejt energjisë elektrike të faturuar. Kjo shifër përfshin edhe arkëtimet e prapambetura të periudhës 2007-2016 në vleftën 10 562 200 000 lekë.

Sa i takon çmimeve të energjisë elektrike në vitin 2017, referuar vendimit të ERE-s, janë ruajtur të pandryshuara çmimet e shitjes me pakicë për klientët fundor, u shpreh Ahmeti.

Sipas tij, prodhimi maksimal mujor i energjisë për vitin 2017, është shënuar në muajin dhjetor me 608,803 MWh. Ky prodhim është realizuar kryesisht nga hidrocentralet në administrim të KESH sh.a. Prodhimi mujor minimal gjatë vitit 2017 është realizuar në muajin shtator me 86,075 MWh.

Gjatë vitit 2017, raportoi kreu i ERE-s, ka pasur përgjithësisht prurje nën mesataren historike me përjashtim të muajit dhjetor, ku prurjet në liqenin e Fierzës arritën vlerën 407 m3/sek, ose rreth 42% më të larta se mesatarja historike e muajit dhjetor.

Viti 2017 rezultoi të ishte një prej viteve të thata, rezerva energjetike e kaskadës deri në fillim të muajit nëntor u mbajt në 375 GWh, shumë më i lartë se niveli për vite me prurje të njëjta.

Duke iu referuar të dhënave mbi treguesit e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes gjatë vitit 2017, nga rezultatet evidentohet një performacë në rritje në drejtim të uljes së humbjeve dhe rritjes së nivelit të arkëtimeve.

Klientët privatë zënë 32.89 % të faturimit total të OSHEE sh.a., Një peshë të rëndësishme në konsumin e energjisë elektrike zënë edhe konsumatorët buxhetorë dhe jo buxhetorë të cilët zënë rreth 11.46 % të faturimit total të OSHEE sh.a..

Në vendin tonë konsumi familjar në raport me konsumin e përgjithshëm të faturuar për klientet tariforë për vitin 2017 përbën rreth 55.57 %, ndërsa konsumi vetjak 0.07 %.

Ahmeti vuri në dukje se, ashtu sikurse edhe në vitet e mëparshme, edhe këtë vit vërehet i njëjti fenomen, ai e përdorimit të energjisë elektrike për ngrohje në dimër. Ndërsa gjatë stinës së verës, në muajt korrik dhe gusht tendenca e pikut është në rritje, i cili nga viti në vit po bëhet më evident dhe lidhet me përdorimin gjithnjë e në shkallë më të gjerë të pajisjeve klimatizuese.

Duke u ndalur në ecurinë e sektorit të gazit, Ahmeti tha se, zhvillimi i tregut të gazit është kusht i rëndësishëm për të garantuar sigurinë afatgjatë të furnizimit me gaz natyror dhe diversifikimin e burimeve në vend.

Gjatë vitit 2017 është realizuar ndarja ligjore dhe pronësore e Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe është punuar për të finalizuar edhe ndarjen ligjore dhe funksionale të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike nga ai i Furnizimit të Shërbimit Universal.

“Zhvillimi i tregut të gazit është gjithashtu një nga sfidat e sektorit. Tubacioni i gazsjellësit TAP AG është projekti më i rëndësishëm për të cilin ka vijuar puna e ERE-s në bashkëpunim me dy rregullatorët italian dhe grek, vende ku ky gazsjellës kalon. Me kryerjen e certifikimit të operatorëve të transmetimit në sektorët respektivë, me po aq rëndësi është edhe monitorimi i vazhdueshëm i këtyre operatorëve për të siguruar përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga statusi i operatorit të certifikuar. Për këtë qëllim është vendosur nga ERE raportim periodik i operatorëve për implementimin e vendimeve të certifikimit”, – theksoi kreu i ERE-s Ahmeti. /e.xh//m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Kategori