Investimi Trump në Sazan: Raportime Mediatike & Kundërthënie

Mediaset: Investimi i familjes Trump në Sazan

Mediat italiane po i kushtojnë vëmendje të konsiderueshme investimit të Ivanka Trump dhe bashkëshortit të saj, Jared Kushner, në ishullin e Sazanit.

Pas reportazhit të RAI 3 në emisionin e njohur “EstOvest”, edhe rrjeti më i madh italian, Mediaset, ka kthyer vëmendjen nga Sazani.

Emisioni “Realpolitik”, që transmetohet çdo të mërkurë në “Rete4”, ka dërguar një ekip xhirimi në ishullin e shkretë. Reportazhi mban titullin “Trumpët blejnë një ishull përballë Italisë”.

Gazetari Dario Artale ka tentuar të lundrojë drejt Sazanit, por është detyruar të kthehet pasi persona në breg i komunikuan se zona mbetet ushtarake dhe është e hapur vetëm gjatë verës.

Reportazhi paraqet dy anët e situatës. Fillimisht, theksohet se bregdeti i Vlorës është aktualisht një kantier i hapur, ku synohet jo më turizmi masiv, por ai i luksit, sipas lapsi.al.

Ndërtuesi Endri Kollozi flet për ndërtimin e një kulle 34-katëshe pranë bregdetit, duke e cilësuar projektin si shumë ekskluziv dhe jo për të gjithë, për shkak të çmimeve të larta.

“Është një ishull i shkretë dhe tani do të bëhet një xhevahir. Direkt ose indirekt do të përfitojnë të gjithë shqiptarët, të gjithë vlonjatët”, shprehet ai lidhur me projektin e Trump.

Më pas, reportazhi zhvendoset në Zonën e Mbrojtur të Zvërnecit, e cila gjithashtu pritet të ndikohet nga projekti Kushner-Trump. Aty flet Melitjan Nezaj, ekolog dhe aktivist i organizatës PPNEA.

“Është një projekt shkatërrues. Ndodhemi në brendësi të një zone të mbrojtur nga ligji shqiptar, por në fakt kanë arritur të ndikojnë për të ndryshuar këtë ligj. A është një projekt që lidhet me Donald Trump? Me shumë mundësi po. Të gjithë politikanët shqiptarë duan vëmendjen e personazheve kaq të fuqishëm. Dhe kjo ka padyshim një efekt. A është fuqia e Trump më e madhe se ajo e natyrës? Po natyrisht. Është e lehtë për njerëz kaq të fuqishëm të ndikojnë në vende të varfra dhe në zhvillim. Natyrisht që një natyrë kaq e bukur nuk gjendet në shumë vende”, thotë ai.

Scroll to Top