Investitorët ndërkombëtarë po kërkojnë prona në Sarandë e Vlorë, duke u larguar nga Dubai.
Goditja e tregut të pasurive të paluajtshme në Dubai, për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme, po hap mundësi të reja për zonat bregdetare shqiptare, sidomos për Vlorën dhe Sarandën. Sipas agjentit imobiliar, Eron Çumani, shumë investitorë ndërkombëtarë që më parë investonin në Dubai, tani po kthehen drejt Shqipërisë, duke e parë atë si një alternativë më të sigurt dhe me potencial rritjeje.
“Të gjitha kapitalet që vendosen, qoftë zyrtarisht apo jo, shpesh investohen në pasuri të paluajtshme. Në Dubai, pas fillimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, 30% deri në 70% e pronave kanë humbur vlerë,” shprehet Çumani. Ai shton se Shqipëria nuk është e ekspozuar ndaj konflikteve, prandaj shumë investitorë të huaj po konsiderojnë Rivierën shqiptare si një destinacion të ri për investimet e tyre.
“Po shfaqet faza fillestare e interesimit, ku disa kompani që blinin prona në Dubai po shqyrtojnë mundësinë për të investuar në vila dhe apartamente në Shqipëri. Synimi është kthimi i kapitalit përmes qiradhënies ose rritjes së vlerës së pronave. Ky trend pritet të rrisë kërkesën dhe të ndikojë gradualisht në çmimet e pronave në zonat më të zhvilluara bregdetare të vendit.”
Si u ndikua Dubai nga situata në Lindjen e Mesme
Dubai ishte një destinacion shumë tërheqës për pasuritë e paluajtshme vitet e fundit, pasi perceptohej si një vend i sigurt për kapitalin ndërkombëtar, falë taksave të ulëta, lehtësive për biznes dhe tregut që ofronte kthime të larta nga qiratë dhe rritja e vlerës së pronës. Reuters ka raportuar se për dekada, forca e Dubait ka qenë pikërisht imazhi i tij si një vend stabil në një rajon me tensione. Investitorët tërhiqeshin gjithashtu nga infrastruktura moderne dhe klima miqësore ndaj investimeve të huaja.
Në vitet e fundit, këtë interes e kanë nxitur më tej shitjet e larta të pronave në ndërtim dhe hyrja e blerësve të huaj, të cilët kërkonin jo vetëm fitim, por edhe diversifikim gjeografik të investimeve.
Për këtë arsye, çdo goditje ndaj perceptimit të Dubait si “port i sigurt” ka filluar të shtyjë një pjesë të këtij kapitali drejt tregjeve alternative. Zhvillimet më të fundit tregojnë se tregu i pasurive të paluajtshme në Dubai po kalon një fazë më të ndërlikuar sesa një rënie e thjeshtë. Reuters raportoi në mars se sektori po tregonte shenjat e para të dobësimit, me volumet e transaksioneve në Emiratet e Bashkuara Arabe që ranë 37% krahasuar me një vit më parë në 12 ditët e para të muajit, dhe 49% krahasuar me shkurtin. Në disa raste, tregu po regjistronte ulje çmimesh prej 12% deri në 15% për shitje të shpejta.
Sipas të njëjtit raport, konflikti ka dëmtuar imazhin e Dubait si një strehë e sigurt për kapitalin ndërkombëtar dhe ka rritur rrezikun për një korrigjim më të gjerë të tregut. Këto shqetësime u shtuan edhe më shumë pasi, pas pesë vitesh rritjeje të fortë, cikli i pronave po hynte në një fazë ngadalësimi.
Pikërisht në këtë klimë pasigurie, tregje më të vogla dhe në zhvillim, si Vlora dhe Saranda, po tërheqin vëmendje të shtuar si destinacione alternative për kapitalin që kërkon kthime të larta dhe ekspozim më të ulët ndaj tensioneve rajonale.
