Ish-kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë: Pse investitorët e huaj hezitojnë të vijnë
Mark Crawford, ish-kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, ka theksuar se për të tërhequr investime të huaja, vendi duhet të garantojë transparencë fiskale dhe stabilitet institucional. Gjatë një interviste për emisionin “Oponencë” në News24, Crawford sqaroi se është thelbësore të kuptohet qartë origjina e problemeve financiare që diskutohen publikisht, duke bërë dallimin mes të ardhurave të padeklaruara dhe shmangies së taksave.
Crawford u ndal gjithashtu te situata e kryetarit të Bashkisë Tiranë, duke theksuar se arrestimi i tij krijon pasiguri për investitorët e huaj. Ai përmendi gjithashtu probleme për Ministrinë e Infrastrukturës, të lidhura me zv.kryeministren Belinda Balluku, duke theksuar se projektet strategjike dhe partneritetet me investitorët kërkojnë stabilitet dhe besueshmëri.
Ai shtoi se Shqipëria ka potencial për të tërhequr investime, por vetëm nëse garanton transparencë, siguri ligjore dhe një klimë të qëndrueshme biznesi.
“Njerëzit që janë këtu do të ikin, ata që kanë ardhur dhe kanë hapur biznes, thonë se do të ikin. Unë jam këtu, por shumica janë larguar. Edhe kur isha kryetar i Dhomës, thoja pse nuk flasim me Diasporën t’u themi pse nuk investojnë. Ata që vijnë janë turistë, bëjnë plazhe. Pse ata shqiptaro-amerikanë nuk vijnë të investojnë?
Besoj është e rëndësishme të kuptojmë nga vijnë këto para? A janë banane e mollë që janë shitur që nuk do të paguajnë taksat. Nëse është diçka që lidhet me taksat, këto mund të falen. Ne duhet të kuptojmë nga vjen ky problem. Investitorët mund të mos vijnë në Shqipëri. Ka probleme për Ministrinë e Infrastrukturës. Investitorët mund të presin që të zgjidhen problemet. Investitorët mund të preferojnë të shkojnë në vendet e tjera,” – tha Crawford.
