Investoni në Shqipëri: Stimuj Fiskalë në Sektorë Strategjikë

Kryeministri Rama: Sektorët ku qeveria mbështet investitorët me stimuj fiskalë

Kryeministri Edi Rama ka bërë një apel drejtuar investitorëve të huaj për të investuar në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij në “Forumin Ekonomik të Tiranës”, Rama theksoi se vendi po përjeton një transformim të shpejtë dhe se investimet duhet të kryhen tani, para se mundësitë të kufizohen.

“Besoni te kjo Shqipëri që po ngrihet, investoni në këtë Shqipëri që po transformohet, bëhuni pjesë e historisë së suksesit që ne po ndërtojmë, para se të jetë vonë. Shqipëria nuk është shumë e madhe, kështu që vraponi dhe nxitoni përpara se hapësirat të mbyllen,” u shpreh ai.

Kryeministri renditi sektorët kryesorë ku qeveria është e gatshme të ofrojë mbështetje për investitorët përmes stimujve fiskalë.

“Ne mirëpresim partneritete që sjellin dijen, ekspertizën dhe inovacionin. Investimi sot do të thotë hyrje në tregun e nesërm dhe ne ftojmë të gjithë të angazhohen në katër shtylla strategjike që do të përcaktojnë dekadën tonë të ardhshme:

  • Energjia e gjelbër: Shqipëria synon të ketë një peshë të lartë të energjisë së rinovueshme dhe të bëhet jo vetëm eksportuese neto, por edhe një nyje energjetike rajonale.
  • Infrastruktura moderne: Qëllimi është kthimi i Shqipërisë në një kryqëzim logjistik mes Ballkanit dhe Europës.
  • Turizmi cilësor dhe i qëndrueshëm: Një turizëm që bashkon bukurinë natyrore me trashëgiminë dhe autenticitetin, duke krijuar destinacione gjatë gjithë vitit me vlera dhe standarde të larta.
  • Teknologjia dhe inovacioni: Përfshirë një ekosistem startup-esh në rritje, talente në IT, inteligjencë artificiale, FinTek dhe industri kreative, të cilat po formësojnë ekonominë e re.

“Këto janë sektorët ku Shqipëria po ecën me shpejtësi dhe ku qeveria është e gatshme të mbështesë investitorët me stimuj fiskalë,” përfundoi Kryeministri Rama.

Scroll to Top