Para hapjes së IPARD III, qeveria ndryshon strukturën menaxhuese
Programi IPARD III, i cili ofron fonde për sektorin e bujqësisë, pritet të hapet brenda vitit. Para hapjes së tij, qeveria ka bërë ndryshime në strukturën menaxhuese.
Ndryshimet e vendimit “Për ngritjen e strukturave dhe autoriteteve përgjegjëse për menaxhimin indirekt dhe ushtrimin e funksioneve, të përgjegjësive dhe të marrëdhënieve ndërmjet autoriteteve dhe strukturave të menaxhimit indirekt të asistencës së Bashkimit Evropian, në kuadër të programit për zhvillimin rural të instrumentit për asistencën e paraanëtarësimit (IPARD III)” janë publikuar në Fletoren Zyrtare.
Më parë, struktura menaxhuese përbëhej nga organi kontabël dhe zyra mbështetëse e ZKA-së (Zyrtari Kombëtar Autorizues), si struktura të veçanta pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Këto struktura ishin nën përgjegjësinë e ZKA-së për zbatimin e programit IPARD III, me detyra të qartësisht të ndara sipas vendimit dhe rregulloreve përkatëse.
Me ndryshimet e reja, struktura vazhdon të përbëhet nga zyra mbështetëse e ZKA-së dhe organi kontabël. Megjithatë, tani përcaktohet se kjo strukturë do të drejtohet nga drejtori i përgjithshëm i strukturës për menaxhimin e fondeve të Bashkimit Europian pranë ministrisë përgjegjëse për financat.
Sipas ndryshimeve, struktura menaxhuese do të vijojë të funksionojë nën përgjegjësinë e ZKA-së dhe në përputhje me funksionet e përcaktuara në vendim, si dhe me manualet dhe rregulloren e brendshme të ministrisë.
Programi IPARD III ishte parashikuar të hapej dy vite më parë, por zbatimi i tij u pezullua për shkak të shkeljeve të konstatuara në shpërndarjen e fondeve për IPARD II. Në gusht 2023, Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) konstatoi shkelje dhe keqpërdorime të fondeve të programit IPARD II, pas hetimeve të nisura mbi denoncime për korrupsion, favorizime dhe ndërhyrje politike.
