Irani ekzekuton gjeneralin e Gardës Revolucionare, dyshohet për spiunazh për Mossad
Disa media arabe raportojnë se gjenerali i forcave speciale të Gardës Revolucionare të Iranit, Esmail Qaani, dyshohet të jetë ekzekutuar pasi u akuzua për spiunazh në favor të shërbimit sekret izraelit, Mossad.
Sipas portalit The National nga Emiratet e Bashkuara Arabe, i cili citon burime të pakonfirmuara, Qaani u akuzua për bashkëpunim me inteligjencën izraelite dhe më pas u ekzekutua. Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për këtë informacion.
Qaani ishte komandanti i njësisë elitare Forca Quds, një strukturë kyçe e Gardës Revolucionare Islamike që merret me operacionet jashtë vendit. Sipas raportimeve, gjenerali iranian ka mbijetuar disa tentativa për atentat dhe ka qenë pranë liderit suprem iranian Ali Khamenei edhe gjatë bombardimeve amerikano-izraelite.
Qaani është zhdukur disa herë nga skena publike gjatë viteve të fundit. Një nga rastet më të përfolura ndodhi pas sulmeve izraelite në Bejrut në vitin 2024, kur për një periudhë nuk pati asnjë informacion për vendndodhjen e tij, përpara se të shfaqej sërish në publik.
Deri më tani, autoritetet iraniane nuk kanë reaguar zyrtarisht ndaj këtyre raportimeve dhe informacioni mbetet i pakonfirmuar.
