Edhe kjo i mungonte Iranit! Gjendet një person pa jetë në bagazhin e makinës pranë qendrës stërvitore.
Përfaqësuesja e Iranit po e kalon pjesëmarrjen në Botërorin 2026 me pengesa të pazakonta, edhe pa zbritur në fushën e lojës.
Pak ditë më parë, iranianët ndryshuan planet e tyre dhe zhvendosën përgatitjet në Tihuana të Meksikës. Sot, ata janë përballur me një situatë të pazakontë.
Policia ka rrethuar një parking supermarketi ngjitur me qendrën e tyre stërvitore, pasi është gjetur një trup i pajetë në bagazhin e një makine.
Sipas informacioneve nga mediat lokale, makina Toyota kishte rreth tre ditë parkuar aty. Njerëzit kishin filluar të dyshonin për shkak të një ere të rëndë që vinte nga afërsia e saj, duke bërë që një patrullë policie ta kontrollonte.
“Pas inspektimit të mjetit, ata gjetën një person të mbështjellë me një qese të zezë në bagazh, me shenja dhune”, theksoi zyra e prokurorit të Tihuana në një komunikatë për mediat, duke përshkruar rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e saj dhe autorët.
/Panorama Sport/
