Irani hedh poshtë pretendimet e Donald Trump për marrëveshje; SHBA-të po negociojnë me veten
Një zëdhënës ushtarak iranian ka hedhur poshtë kategorikisht pretendimet për negociata me Shtetet e Bashkuara, duke deklaruar se “SHBA-të po negociojnë me veten”, sipas raportimeve të mediave shtetërore. Këto deklarata vijnë një ditë pasi Donald Trump tha se Teherani synon një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme.
Sipas Reuters, një plan me 15 pika i hartuar nga Uashingtoni është transmetuar drejt Teheranit përmes kanaleve diplomatike, megjithëse autoritetet iraniane nuk kanë konfirmuar pranimin e tij si bazë për negociata.
Zëdhënësi i Shtabit Qendror Khatam al-Anbiya, Ebrahim Zolfaghari, reagoi me tone të ashpra, duke ironizuar situatën: “A ka arritur niveli i konfliktit tuaj të brendshëm në fazën e negociatave me veten tuaj?”. Ai shtoi se “njerëz si ne nuk mund të shkojnë kurrë mirë me njerëz si ju”. Zolfaghari theksoi se stabiliteti rajonal, sipas Teheranit, garantohet nga forcat e armatosura iraniane dhe jo nga marrëveshje diplomatike.
Në të njëjtën linjë, një tjetër zëdhënës i komandës së lartë ushtarake iraniane paralajmëroi se nuk do të ketë kompromis me SHBA-të, duke deklaruar: “Mos e quani humbjen tuaj një marrëveshje”. Ai shtoi se as investimet amerikane, as çmimet e mëparshme të energjisë nuk do të rikthehen pa një ndryshim të qasjes së Uashingtonit. Sipas tij, “stabiliteti vjen përmes forcës” dhe çdo rezultat i konfliktit do të përcaktohet në terren, jo në tryezën e bisedimeve.
Plani i raportuar prej 15 pikash, i publikuar nga New York Times dhe media të tjera, përfshin kërkesa të gjera ndaj Iranit, siç janë:
- Çmontimi i infrastrukturës bërthamore.
- Ndalimi i pasurimit të uraniumit.
- Dorëzimi i rezervave të uraniumit të pasuruar.
- Kufizimi i programit raketor.
- Ndalimi i mbështetjes për aleatët rajonalë.
Në këmbim, parashikohet heqja e sanksioneve dhe ndihmë për zhvillimin e programit bërthamor civil.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ky propozim është pranuar apo shqyrtuar seriozisht nga Irani. Raportimet sugjerojnë se ai mund të jetë transmetuar përmes Pakistani dhe nuk dihet nëse ka mbështetjen e plotë të aleatëve të SHBA-së në rajon.
Në këtë klimë tensioni, Teherani këmbëngul se mban kontrollin e Ngushticës së Hormuzit dhe paralajmëron se konflikti do të vazhdojë, duke përjashtuar çdo mundësi për marrëveshje në të ardhmen e afërt.
