Irani paralajmëron vendet evropiane: Do të goditemi nëse i bashkoheni SHBA-së
Në një intervistë, zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Majid Takht-Ravanchi, deklaroi se Teherani “i kishte informuar tashmë evropianët dhe të gjithë të tjerët se duhet të jenë të kujdesshëm që të mos përfshihen në këtë luftë agresioni kundër Iranit”.
Ai paralajmëroi se nëse ndonjë vend “i bashkohet Amerikës dhe Izraelit në agresionin kundër Iranit, ata do të jenë gjithashtu objektiva legjitime për hakmarrjen e Iranit”.
Takht-Ravanchi theksoi për France 24 se zyrtarët iranianë kishin “negociuar me mirëbesim” me SHBA-në dhe se “raundi i fundit i bisedimeve në Gjenevë të enjten e kaluar ishte një sukses”, përpara se qeveria amerikane, të shtunën, “me ndihmën e regjimit izraelit, të fillonte një agresion kundër Iranit”.
Zëvendësministri i Jashtëm iranian konfirmoi gjithashtu se Irani po godiste grupet kurde brenda Irakut fqinj, duke shtuar: “Nëse ka nevojë për të mbrojtur sovranitetin tonë, patjetër që ne e bëjmë”. Ky veprim vjen mes raportimeve se CIA dhe Mossadi po i armatosnin këto grupe.
