Me destinacion Singaporin: Garda Revolucionare sekuestron një cisternë nafte në Gjirin Persik
Garda Revolucionare Iraniane ka konfirmuar sot sekuestrimin e një anije cisternë në ujërat e Gjirit Persik. Incidenti ndodhi të premten, rreth orës 04:00 GMT, kur mjeti lundrues ndryshoi papritur kurs në Ngushticën e Hormuzit dhe u drejtua drejt ujërave territoriale të Iranit.
Sipas një deklarate zyrtare, njësitë e reagimit të shpejtë të Marinës së Gardës ndërhynë pas urdhrit të një gjykate iraniane për sekuestrimin e ngarkesës së anijes “Talara”, e cila lundronte nën flamurin e Ishujve Marshall.
“Cisterna po transportonte ngarkesë për të cilën nuk kishte licencë,” thuhej në deklaratë. Anija mbante rreth 30.000 ton produkte petrokimike dhe destinacioni i saj ishte Singapori.
Pas kapjes, cisterna u shoqërua në një pikë ankorimi brenda ujërave iraniane, ku po hetohen pretendimet për shkelje. Sipas firmës britanike të sigurisë detare Ambrey, cisterna ishte nisur nga Ajman në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe u afrua nga tre mjete të vogla detare të Gardës Revolucionare gjatë kalimit në Ngushticën e Hormuzit.
Ngushtica e Hormuzit, një korridor kyç për transportin global të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm, ka qenë shpesh arenë e tensioneve dhe incidenteve detare.
