Irani vs. Izraeli: Sulme me raketa dhe sirena alarmi

Irani kundërpërgjigjet me raketa, bien sirenat në Izrael

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë njoftuar se pak më parë identifikuan raketa të lëshuara nga Irani drejt territorit izraelit, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të përbashkëta të SHBA-Izrael të zhvilluara këtë të shtunë.

Pas këtij paralajmërimi, sirenat e alarmit u aktivizuan në disa zona të vendit, duke njoftuar publikun për rrezikun e afërt. IDF ka kërkuar nga qytetarët të ndjekin me përpikëri udhëzimet e Komandës së Frontit të Brendshëm, ndërsa Forcat Ajrore të Izraelit po veprojnë për të ndaluar raketat dhe për të neutralizuar kërcënimet aty ku është e nevojshme.

“Pak më parë u aktivizuan sirenat në disa zona të vendit pas identifikimit të raketave të lëshuara nga Irani drejt Izraelit. Publiku kërkohet të ndjekë udhëzimet e Komandës së Frontit të Brendshëm. Në këtë moment, Forcat Ajrore të Izraelit po veprojnë për të interceptuar dhe goditur kërcënimet aty ku është e nevojshme për të eliminuar rrezikun. Mbrojtja nuk është hermetike, prandaj është thelbësore që publiku të vazhdojë të ndjekë udhëzimet e Komandës së Frontit të Brendshëm,” thuhet në njoftim, sipas BBC.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka konfirmuar sulmet ndaj Iranit, duke deklaruar se operacione të mëdha luftarake janë duke u zhvilluar. Ai theksoi se qëllimi kryesor është mbrojtja e popullit amerikan duke eliminuar kërcënimet e menjëhershme nga regjimi iranian, të cilin e cilësoi si “një grup i ligë dhe shumë i ashpër”.

“Veprimtaria kërcënuese e tyre rrezikon drejtpërdrejt SHBA-të, forcat tona, bazat tona jashtë vendit dhe aleatët tanë në mbarë botën,” shtoi ai në një mesazh tetë minutësh. Trump kujtoi se për 47 vjet, regjimi iranian ka kërkuar “Vdekje Amerikës” dhe ka kryer një fushatë të pafund të gjakderdhjes dhe vrasjeve masive, duke synuar SHBA-të, trupat amerikane dhe civilët në shumë vende.

Presidenti amerikan theksoi se “ushtria e Shteteve të Bashkuara po zhvillon një operacion masiv dhe në vazhdim për të parandaluar këtë diktaturë radikale dhe të ligë nga kërcënimi i Amerikës dhe interesave tona themelore të sigurisë kombëtare. Ne do të shkatërrojmë raketat e tyre dhe do të rrënojmë industrinë e raketave deri në themel.” Ai akuzoi Teheranin se po punon për rindërtimin e programit bërthamor pas bombardimeve amerikane në qershor.

Trump vendosi si qëllim të qartë rrëzimin e regjimit dhe u bëri thirrje popullit iranian të marrë kontrollin e qeverisë së tyre. “Për anëtarët e Gardës Revolucionare Islamike, forcat e armatosura dhe policinë: ju them sonte që duhet të dorëzoni armët tuaja dhe do të përfitoni amnisti të plotë, ose, në të kundërt, do të përballeni me vdekje të sigurt,” tha Trump në videon tetë minutëshe.

Ai i kërkoi popullit iranian të qëndrojë në strehë dhe të mos dalë nga shtëpitë, duke paralajmëruar se “është shumë e rrezikshme jashtë, bomba do të bien kudo.”

“Kur të përfundojmë, merrni pushtetin e qeverisë tuaj. Do të jetë e juaja. Kjo mund të jetë mundësia juaj e vetme për shumë gjenerata,” shtoi Trump. Ai kujtoi se Amerika po mbështet popullin iranian me forcë të jashtëzakonshme dhe shkatërruese, duke thënë: “Tani është koha të merrni kontrollin e fatit tuaj dhe të çlironi të ardhmen e begatë dhe të lavdishme që është afër jush. Kjo është momenti për veprim. Mos e humbni.”

Presidenti gjithashtu pranoi se mund të humbin jetë ushtarët amerikanë, duke thënë se operacioni mund të ketë kosto njerëzore. “Regjimi iranian synon të vrasë. Mund të humbin jetë heronjsh të guximshëm amerikanë dhe mund të ketë viktima, kjo ndodh shpesh në luftë, por nuk e bëjmë këtë për të tashmen. E bëjmë për të ardhmen, dhe është një mision fisnik,” deklaroi ai. Ai shtoi se SHBA-ja “ka marrë çdo masë të mundshme për të minimizuar rrezikun për personelin amerikan në rajon.”

Scroll to Top