Ish-drejtoresha e Kadastrës shpallet fajtore për pastrim parash, por dënimi pezullohet
Gjykata e Posaçme e ka shpallur fajtore për akuzën e pastrimit të parave ish-drejtoreshën e Kadastrës së Durrësit, Rajmonda Dashi. Megjithatë, dënimi i saj me 4 vjet e 8 muaj burg është pezulluar, dhe ajo është vënë në shërbim prove për një periudhë 3-vjeçare.
Dashi ishte nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, pasi dyshohej se ishte pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në pastrimin e parave të përfituara në Belgjikë përmes veprimtarive të paligjshme.
Në këtë çështje, të pandehur ishin gjithashtu dy vëllezërit Besjan dhe Leonard Ramaj, si dhe Ardjan Malasi. Edhe këta janë shpallur fajtorë për veprën penale të pastrimit të parave. Megjithatë, Gjykata e Posaçme ka rrëzuar akuzat për grup të strukturuar kriminal ndaj tyre.
Duke aplikuar gjykimin e shkurtuar:
- Besjan Ramaj u dënua përfundimisht me 6 vite e 8 muaj burgim.
- Leonard Ramaj u dënua me 5 vjet heqje lirie.
- Ardjan Malasi u dënua me 6 vjet burg për të njëjtën akuzë.
SPAK njoftoi dy vjet më parë sekuestrimin e dhjetëra pasurive të paluajtshme dhe likujditeteve bankare, të cilat dyshoheshin se ishin krijuar me të ardhura të përfituara nga aktivitete kriminale në Belgjikë nga këta tre të pandehur dhe rrethi i tyre familjar.
Sipas prokurorisë, dy vëllezërit Ramaj kanë pasur bashkëpunim të veçantë me Ardjan Malasin dhe Rajmonda Dashin. Të dy këta të fundit kanë kryer veprime të kundërligjshme sistematike dhe të vazhdueshme me qëllim pastrimin e të ardhurave të përfituara nga aktiviteti kriminal në Belgjikë, duke i investuar në pasuri të paluajtshme në Shqipëri.