Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili, u mor në pyetje të enjten nga hetuesit e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), pasi është nën hetim si pjesë e një grupi kriminal që kreu sulmin kibernetik ndaj kësaj prokurorie në mars të këtij viti.
Ismaili ka dhënë shpjegime për më shumë se një orë, në prani të avokatit të tij. Hetimi ndaj tij po zhvillohet për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Sistemi kompjuterik i SPAK u sulmua më 12 mars dhe ngjarja u zbulua disa ditë më vonë. Më 3 prill, SPAK bëri me dije se ishte vënë në shënjestër të një ndërhyrjeje të paligjshme në adresat e email-eve të prokurorëve të posaçëm. Sipas SPAK, nuk u arrit të ndërhyhej në sistemin e brendshëm të Strukturës së Posaçme, megjithëse autorët kishin arritur të merrnin disa informacione, pa siguruar akses në dosje hetimore.
Gjithashtu, sipas njoftimit të SPAK, u tentua të ndërhyhej edhe në email-in e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani.
Në hetimet e para u identifikuan si përgjegjës dy persona, të cilët u arrestuan: ish-drejtori i paraburgimit të Vlorës, Zambak Gjoni, dhe ish-punonjësi i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Arnold Rrokaj. Të arrestuarit dyshohet se u kanë shpërndarë të dhënat edhe personave të tjerë, të cilët po verifikohen për rolin e tyre në këtë ngjarje.