Ish-kryeministri norvegjez Jagland nën hetim për korrupsion

BBC: Ish-kryeministri norvegjez po hetohet për korrupsion të rëndë

Media britanike ka raportuar për një hetim ndaj ish-kryeministrit të Norvegjisë, Thorbjørn Jagland, lidhur me dyshimet për korrupsion. Sipas raportimeve, hetimi ka nisur pasi emri i tij është shfaqur në dosjet e Jeffrey Epstein.

Një ekip special i prokurorisë norvegjeze po shqyrton këto dosje dhe Jagland dyshohet për vepra korrupsioni të rëndë. Konkretisht, po hetohet nëse ai ka marrë dhurata, udhëtime apo hua në lidhje me pozicionin e tij si kryeministër apo si sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Europës.

Një email i Jaglandit, i publikuar nga BBC, përmend Shqipërinë. Në të, Jagland i shkruan Epstein se ishte në Tiranë dhe se aty ka takuar vajza të jashtëzakonshme.

Artikulli i plotë sqaron se policia norvegjeze ka hapur një hetim për korrupsion ndaj Thorbjørn Jagland, ish-kryeministër i vendit, për shkak të lidhjeve të dyshuara me të ndjerin Jeffrey Epstein, i cili ishte dënuar për krime seksuale.

Një njësi speciale e policisë norvegjeze po shqyrton dosjet e Epstein, të cilat u publikuan së fundmi në SHBA. 75-vjeçari Jagland dyshohet për “korrupsion të rënduar”.

Policia ka kërkuar nga Ministria e Jashtme heqjen e imunitetit të Jaglandit, të cilin ai e gëzon për shkak të rolit të tij të mëparshëm si diplomat i lartë ndërkombëtar. Jagland ka qenë gjithashtu ish-kryetar i Komitetit Norvegjez të Nobelit dhe ka shërbyer për 10 vjet si sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës.

Avokati i tij ka deklaruar se do të bashkëpunojnë plotësisht me hetimin.

Pål K. Lønseth, kreu i Økokrim – njësia për krime ekonomike që po heton Jagland – ka thënë: “Ne vlerësojmë se ka baza të arsyeshme për hetim, duke pasur parasysh se ai ka mbajtur postet e kryetarit të Komitetit të Nobelit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës gjatë periudhës që mbulojnë dokumentet e publikuara”.

“Ndër të tjera, Økokrim do të hetojë nëse janë marrë dhurata, udhëtime apo hua në lidhje me pozicionin e tij”, ka shtuar ai.

Policia ka njoftuar se detaje të tjera do të jepen më vonë.

Ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide, ka theksuar rëndësinë që faktet e kësaj çështjeje të dalin në dritë dhe se Oslo do t’i kërkojë Këshillit të Evropës heqjen e imunitetit Jaglandit.

Avokati i Jaglandit, Anders Brosveet, ka mirëpritur hapjen e hetimit. “Bazuar në atë që kemi gjetur deri tani, jemi të sigurt për rezultatin,” tha ai për Reuters. Brosveet i ka thënë gjithashtu portalit norvegjez VG se ai dhe klienti i tij do t’i dorëzojnë Økokrim-it gjetjet kryesore dhe dokumentacionin që disponojnë sa më shpejt të jetë e mundur.

Jagland ka qenë kryeministër i Norvegjisë në vitet 1996–97 dhe sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Evropës nga viti 2009 deri në 2019. Ai ka drejtuar gjithashtu Komitetin Norvegjez të Nobelit në periudhën 2009–2015.

Scroll to Top