Kubë: Ish-ministri i Ekonomisë dënohet me burgim të përjetshëm për spiunazh
Ish-ministri i Ekonomisë së Kubës, 61-vjeçari Alejandro Gil, është dënuar me burgim të përjetshëm për spiunazh dhe krime ekonomike nga Gjykata e Lartë. Vendimi nuk ofron detaje mbi akuzat specifike, vendin apo entitetin për të cilin dyshohet se janë kryer aktet e spiunazhit.
Gil, i cili mbajti postin e ministrit nga viti 2018 deri në shkurt 2024 dhe më parë konsiderohej i afërt me Presidentin Miguel Díaz-Canel, është shpallur gjithashtu fajtor për korrupsion, vjedhje, degradim të dokumenteve zyrtare dhe shkelje të rregulloreve për dokumentet e klasifikuara.
Në një proces të dytë gjyqësor, ai u dënua me 20 vjet burg për korrupsion të vazhdueshëm, falsifikim të dokumenteve publike, ushtrim ndikimi dhe mashtrim tatimor.
Ish-ministri ka një afat prej dhjetë ditësh për të apeluar vendimin.
Alejandro Gil u shkarkua papritur në shkurt 2024 dhe që atëherë nuk është shfaqur në publik.
Gjykimi, që nisi më 11 nëntor, u zhvillua me dyer të mbyllura në Havana. Përpara gjykatës kishte një prani të shtuar policore, ndërsa mediat shtetërore nuk raportuan asgjë rreth procesit.
