Oficeri i Antiterrorit Shiti Hetimet për 15 Mijë Euro, Ndihmoi Grupin e Visit të Pojës
Ish-oficeri i Policisë Gjyqësore pranë Operacionales, Igli Haxhiaj, i arrestuar nga SPAK për dekonspirimin e hetimit ndaj grupit të Visit të Pojës me autoritetet italiane, dyshohet se ka pasur bashkëpunëtorë në nxjerrjen e sekreteve hetimore.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se janë administruar biseda të shumta në platformën “SkyECC” mes Haxhiajt dhe Denis Myftiut, i shpallur në kërkim, ku diskutohen pazaret për dhënien e informacioneve. Interesante është se Igli Haxhiaj nuk kërkonte para vetëm për vete, por edhe për dy persona të tjerë.
Sipas të njëjtave burime, Haxhiaj i kërkonte 15 mijë euro Denis Myftiut, nga 5 mijë për secilin, në këmbim të informacioneve. Më pas, ai e informoi Myftiun se vetë ai dhe familja e tij ishin në përgjim dhe duhej të bënin kujdes me komunikimet.
Ky informacion i parë u konsiderua si dhuratë, por sipas burimeve, më vonë Haxhiaj kërkoi pagesë për çdo informacion të kërkuar.
SPAK dyshon gjithashtu se Igli Haxhiaj është përfshirë edhe në trafikun e drogës. Në bisedat e tij në “SkyECC” me përdorues të tjerë, flitet për shitje dhe transport droge. Megjithatë, deri më tani, nuk ka prova për sekuestrimin e sasive të narkotikëve apo për ekspertimin e tyre.
Bisedat e Haxhiajt ngrenë dyshime për shitje, blerje apo transport të lëndëve narkotike, pavarësisht nëse këto veprime janë realizuar apo jo, por ende nuk ka një akuzë ndaj tij për trafik.
Nga ana tjetër, Denis Myftiu, i cili vijon të jetë në kërkim nga SPAK, është marrë me organizimin e trafikut të kokainës dhe heroinës nga Shqipëria drejt Italisë.
Në Itali, në Bergamo, ai ka bashkëpunuar me Saimir Barotin, i cili dyshohet se është përfshirë edhe në transferimin e parave të drogës së shitur në Itali, duke i dërguar nga Zvicra përmes sistemit “Hawala”. Kjo tregon një strukturë të tërë transferimesh, të menaxhuar nga Tirana nga Ervis Ferizaj.
Ferizaj, sipas burimeve hetimore, kishte krijuar lidhje bashkëpunimi me agjenci transfercash në Zvicër, të cilat përfitonin 6%. Ferizaj dyshohet gjithashtu të jetë pjesë e trafikut të drogës.
Haxhiaj, i cili së fundmi ishte transferuar në Antiterror, është lënë në burg nga GJKKO, megjithëse para togave të zeza pretendoi se nuk ka qenë pjesë e grupit të Visit të Pojës dhe nuk ka komunikuar me ta. Efektivi, i akuzuar për korrupsion, shpërdorim detyre dhe nxjerrje të sekretit hetimor, thotë se emrin ia kanë përdorur dhe se nuk ka pasur kurrë llogari në aplikacionin SkyECC.
Tre anëtarë të tjerë të grupit, Asti Llupi, Altin Shehaj dhe Erald Salla, do të dalin para gjykatave të rretheve, pasi janë arrestuar me qëllim ekstradimi drejt Italisë. Gjykata e Breshias ka lëshuar 24 masa sigurie, nga të cilat 3 janë ekzekutuar në Shqipëri, ndërsa tre anëtarë të tjerë dyshohet se fshihen ende në vendin tonë.
Italia ka shpallur në kërkim edhe Visin e Pojës dhe anëtarë të tjerë të grupit, të cilët dyshohet se kanë trafikuar 1.3 ton kokainë nga Amerika e Jugut drejt Italisë gjatë viteve 2020-2025. Doçi dhe dy anëtarë të tjerë, Denis Myftiu dhe Erion Kapidani, kanë lëshuar urdhra dhe kanë koordinuar aktivitetin kriminal.
