Ish-vila e Enver Hoxhës në flakë, policia përgjigjet me ujë me piper
Ish-vila e Enver Hoxhës u përfshi nga flakët mbrëmjen e sotme. Protestues të Partisë Demokratike hodhën mjete piroteknike, duke përfshirë molotovë dhe fishekzjarrë, në drejtim të godinës. Forcat e rendit ndërhynë me ujë dhe spërkatës me piper për të shpërndarë turmën.
Ngjarja ndodhi pas një proteste që kishte kaluar disa pika në kryeqytet. Pjesëmarrësit u mblodhën fillimisht para selisë së PD-së. Së bashku me kryedemokratin Sali Berishën dhe deputetë të opozitës, marshuan drejt Kryeministrisë.
Më pas, protesta u zhvendos drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku efektivët krijuan një kordon për të penguar tubuesit. Gjatë përplasjeve pati tentativa për të çarë rrethimin, ndërsa policia reagoi me ujë dhe gaz lotsjellës.
Pas marshimit në disa zona të Tiranës dhe bllokimit të rrugëve, protesta u drejtua drejt zonës së ish-Bllokut. Aty, vila e ish-diktatorit u kthye në një simbolikë të radhës të përplasjes politike, në një kohë kur Berisha e ka krahasuar shpesh kryeministrin Edi Rama me një diktator dhe mazhorancën me një regjim.
Situata mbeti e tensionuar për disa minuta, deri në ndërhyrjen e plotë të forcave të rendit.
