Ish-zv.drejtoresha AKSHI paraqitet në SPAK për tendera

Skandali në AKSHI: Ish-zv.drejtoresha Hava Delibashi paraqitet në SPAK

Ish-zëvendës-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Hava Delibashi, është paraqitur para pak kohe në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Delibashi po hetohet për vepra penale të lidhura me “shkeljen e barazisë në tendera”, të kryera në formën e bashkëpunimit, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Ajo ndodhet në masën e “arrestit në shtëpi” prej më shumë se tre muajsh.

SPAK pretendon se brenda AKSHI-t ka vepruar një grup i strukturuar kriminal, i drejtuar nga biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri. Këta të fundit dyshohet se urdhëronin rrëmbimin e rivalëve të tyre, siç ishte rasti i Gerond Mecës, për t’i detyruar të tërhiqeshin nga tenderat.

Dy biznesmenët, Agasi dhe Beqiri, janë aktualisht në arrati. Ndërkohë, ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, dhe Hava Delibashi, ndodhen në masën e arrestit shtëpiak.

Për tre biznesmenë të tjerë dhe një zyrtar policie, Gjykata e Posaçme ka caktuar masa sigurimi, si ndalimi për të dalë jashtë vendit apo pezullimi nga ushtrimi i funksionit.

Scroll to Top