Protagonist në derbin kundër Juventusit, Ismajli: Në pjesën e dytë patëm 2-3 raste, kemi një portier të madh
Ardian Ismajli përjetoi sot për herë të parë një derbi të Torinos si protagonist, duke u shfaqur ndër më të mirët në fushë gjatë ndeshjes që skuadra e tij barazoi pa gola përballë Juventusit. Në këtë sfidë, faza mbrojtëse e Torinos ia doli të përballej me sulmuesit bardhezinj, teksa Ismajli dhe shokët e repartit, veçanërisht portieri Paleari, mbrojtën me sukses portën.
“Në pjesën e parë ishim pak poshtë, pastaj në të dytën arritëm të luanim më mirë. Ne kishim 2-3 raste të qarta. Por në fund rezultati është 0-0 dhe një pikë është e drejtë, ndaj duhet të shikojmë përpara. Paleari është një njeri i mrekullueshëm dhe mbi të gjitha një portier i madh. Në ndeshjet e fundit mund të shpallej si MVP, por më mirë që për të ishte në derbi. Ai luante në Serinë C me Beneventon dhe tani është më i miri në derbin e Serisë A. Është diçka e madhe, ai është një djalë i mbarë. Edhe kur nuk luante, ishte një profesionist i vërtetë. Gjithmonë i ka ndihmuar të gjithë. Në fund, gjithçka shpërblehet. Tani ai do të pushojë, unë do të shkoj në grumbullimin e Kombëtares”, tha Ismajli për “DAZN” pas përfundimit të ndeshjes.
