“Il Fatto Quotidiano”: Problemet me qendrat e emigrantëve në Shqipëri arrijnë kulmin
Nga “Il Fatto Quotidiano”
Me pjata me levrek deti dhe luleshtrydhe të egra, të rrethuar nga një grup i madh ministrash, Edi Rama dhe Giorgia Meloni nënshkruan një sërë marrëveshjesh dypalëshe në Villa Pamphili. Këto marrëveshje prekin kultura, sigurinë kibernetike, trafikun e drogës dhe një mori çështjesh të tjera. Megjithatë, qendra e vëmendjes ishin, janë dhe do të jenë qendrat bëra tashmë famëkeqe për emigrantët, të cilat shtrihen përtej Adriatikut, në Shëngjin dhe Gjadër. Këto qendra kushtuan gati 700 milionë euro, plus 70 milionë euro të tjera të parashikuara në Buxhetin e ri.
Giorgia Meloni, ndonëse flet me zë të ulët, nuk i ndryshon fjalët e saj një vit pas thirrjes së saj ogurzezë në “Atreju”, të shqiptuar me ton nga ballkoni i Piazza Venezia: “Punoni dhe ato do të punojnë.” Kryeministrja pretendon se, kur Pakti i ri i BE-së për Migracionin dhe Azilin të hyjë në fuqi, qendrat “do të funksionojnë ashtu siç ishin menduar që nga fillimi. Do të kemi humbur dy vjet për të përfunduar pikërisht ashtu siç filluam.”
Përgjegjësia, siç thekson ajo, “nuk është e imja; secili do të marrë përgjegjësinë e vet.” Dhe, duke iu drejtuar sërish gjyqtarëve, ajo shpjegon: “Shumë kanë punuar për të ngadalësuar ose bllokuar projektin, por ne jemi të vendosur të ecim përpara.”
Megjithatë, koha nuk ka qenë e dobishme, as modifikimi obsesiv i legjislacionit përmes dekreteve: dy qendrat e kushtueshme strehojnë rreth 20 emigrantë, pavarësisht shifrave madhështore që u thanë pas marrëveshjes (3 mijë në muaj).
Pas këtij daljes publike, të mbushur me lajkat e zakonshme të kryeministrit shqiptar, dy lajme, në dukje të parëndësishme, hedhin dyshime mbi siguritë e kryeministres:
- Më 5 nëntor, Gjykata e Apelit të Romës i dërgoi Gjykatës Evropiane të Drejtësisë një kërkesë për sqarime mbi juridiksionin e Italisë për të nënshkruar marrëveshje si ajo me Tiranën. Gjyqtarët e Romës vënë në dyshim nëse – duke marrë parasysh Traktatin për Bashkimin Evropian dhe Traktatin për Funksionimin e BE-së, sipas të cilit BE-ja ka kompetencë ekskluzive për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare kur një përfundim i tillë mund të ndikojë në normat e përbashkëta ose të ndryshojë fushëveprimin e tyre – marrëveshja Itali-Shqipëri është nënshkruar në mënyrë legjitime. Nëse Gjykata Evropiane vendos përsëri në favor të gjyqtarëve italianë, Protokolli me Shqipërinë do të jetë i pavlefshëm.
- Ekziston edhe një padi tjetër që ka të bëjë me juridiksionin e Gjykatës së Apelit për të vendosur në shkallë të parë mbi kërkesat e azilkërkuesve. Siç dihet mirë, qeveria ka bërë gjithçka që mundet për të anashkaluar urdhrat e gjykatave që kishin rrëzuar dekretet “Cutro” dhe atë për “Vendet e Sigurta” (të mbështetura gjithashtu nga një vendim i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë gushtin e kaluar). Një nga shumë dekretet kishte zhvendosur juridiksionin nga gjykatat e shkallës së parë në Gjykatat e Apelit, të cilat gjykojnë në shkallë të dytë. Tani Gjykata e Apelit të Leçes ka apeluar dekretin në Gjykatën Kushtetuese, sepse emigrantët e prekur nga masat nuk mund ta apelojnë vendimin para një gjyqtari të apelit, por vetëm para Gjykatës Supreme të Kasacionit. E drejta për mbrojtje – të cilën e dimë se është shumë e rëndësishme për partinë “Vëllezërit e Italisë” – është “e kufizuar në mënyrë të paarsyeshme”. Një apelim është i mundur brenda një afati kohor “jashtëzakonisht të shkurtër”, 5 ditë, dhe pikërisht “vetëm për shkelje të ligjit”.
E gjithë kjo – thonë gazetarët dhe analistët – është shumë teknike dhe e ndërlikuar për t’u kuptuar nga qytetarët. Mund të përmblidhet në një fjali të thjeshtë: “Kjo qeveri shpërfill gjyqësorin kur pengon vendimet e saj dhe përpiqet të anashkalojë vendimet e gjyqësorit, i cili zbaton ligjet e nxjerra nga Parlamenti, me dekrete që nuk i plotësojnë kurrë kërkesat e jashtëzakonshme të urgjencës dhe domosdoshmërisë të përcaktuara nga Kushtetuta.” Por meqenëse as masat e detyruara nuk funksionojnë, futen reforma të ndryshme për të frenuar gjyqësorin: dhe lamtumirë sundimit të ligjit. Nuk mund të jetë më e thjeshtë…
