Italian i kërkuar për 2.5M € kapet në Shqipëri

61-vjeçari italian, i shpallur në kërkim nga Franca për dëmin prej 2.5 milionë euro, u kap në Shqipëri

Një 61-vjeçar italian, i shpallur në kërkim nga autoritetet franceze, është arrestuar në Shqipëri gjatë përpjekjes për të hyrë në vend. Gjatë kontrolleve të zakonshme në kufi, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Rinas identifikuan shtetasin Vito Cardinale, i cili rezultonte të ishte në kërkim ndërkombëtar.

Sipas informacioneve të bëra publike, Gjykata e Parisit e ka dënuar italianin në vitin 2024 me 2 vjet burgim. Ai akuzohet për mashtrim të kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal dhe për pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale.

Hetimet kanë zbuluar se Cardinale ka qenë pjesë e një rrjeti tregtarësh që, gjatë vitit 2009, kanë shmangur pagesën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) ndërmjet disa kompanive franceze. Ky veprim ka shkaktuar një dëm financiar prej rreth 2.5 milionë euro për shtetin francez. Pas kryerjes së veprimeve kriminale, ai ka pastruar fitimet e përfituara.

Arrestimi i 61-vjeçarit është bërë në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, i cili ka për qëllim parandalimin e paligjshmërive në kufi dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim.

Aktualisht, Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët francezë për të finalizuar procedurat e ekstradimit të shtetasit italian.

Scroll to Top