Izraeli eliminon anëtar të Hezbollahut në jug të Libanit

Ushtria izraelite njofton eliminimin e një anëtari të Hezbollahut në jug të Libanit.

Ushtria izraelite njoftoi ditën e djeshme se eliminoi një person, të cilin e cilësoi si “terrorist të Hezbollahut”, në jug të Libanit.

Sipas një deklarate të ushtrisë, forcat izraelite, nën komandën e Divizionit 91 dhe me mbështetjen e Forcave Ajrore, kryen një sulm të dielën mbrëma (16 nëntor), i cili rezultoi në neutralizimin e personit të identifikuar si Mohamad Ali Sweih, anëtar i organizatës Hezbollah. Ky sulm ndodhi në zonën Al-Mansouri të Libanit jugor.

Njoftimi sqaron se Sweih “ishte përgjegjës për mbajtjen e kontakteve mes organizatës dhe banorëve të fshatit për çështje ushtarake dhe financiare. Ai merrej gjithashtu me shpronësimin e pronave private për qëllime terroriste”.

Ushtria izraelite thekson se veprimtaria e tij “përbën shkelje të marrëveshjeve mes Izraelit dhe Libanit”.

Pavarsësisht armëpushimit të nënshkruar në nëntor 2024, pas më shumë se një viti luftimesh me Hezbollahun, Izraeli vazhdon të kryejë sulme të përditshme në Liban. Ushtria pretendon se godet milicinë shiite pro-iraniane, të cilën e akuzon për përpjekje riarmatosjeje.

Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë e Libanit njoftoi dje vdekjen e një personi nga “një sulm izraelit ndaj një automjeti në qytetin Al-Mansouri, në rrethin e Tiros”. Sipas agjencisë zyrtare libaneze të lajmeve (ANI), viktima ishte drejtori i një shkolle në zonë, i quajtur Mohamed Sweih.

Hezbollahu është dobësuar ndjeshëm nga përballja e fundit me Izraelin, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë rritur presionin ndaj autoriteteve libaneze për çarmatimin e organizatës, një kërkesë që grupi islamik vazhdon ta refuzojë kategorikisht.

Scroll to Top