Ministri izraelit bën thirrje për aneksimin e jugut të Libanit
Ministri izraelit i financave, Bezalel Smotrich, deklaroi të hënën se Izraeli duhet të zgjerojë kufirin e tij me Libanin deri te lumi Litani, thellë në jug të këtij vendi.
Izraeli ka përshkallëzuar sulmet në Liban, duke bombarduar ura dhe shkatërruar shtëpi në jug të vendit ditët e fundit. Komentet e ministrit Smotrich paraqesin qëndrimin më të drejtpërdrejtë deri më tani nga një zyrtar i lartë izraelit për marrjen e tokës libaneze, në një konflikt që Izraeli pretendon se po e zhvillon vetëm kundër militantëve të Hezbollahut, të cilët mbështeten nga Irani. Hezbollahu konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera.
Libani u përfshi në luftën rajonale më 2 mars, kur Hezbollahu lëshoi raketa drejt Izraelit. Që atëherë, Izraeli ka urdhëruar të gjithë banorët të largohen nga zonat në jug të lumit Litani, duke qenë se po bombardojnë këtë pjesë të vendit, të cilën e cilësojnë si bastion të Hezbollahut.
Gjatë sulmeve izraelite në Bejrut të hënën, u vra një komandant i Forcës elitare Quds të Gardës Revolucionare të Iranit, sipas ushtrisë izraelite. Autoritetet libaneze raportojnë se sulmet ajrore dhe tokësore izraelite kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se 1.000 personave dhe kanë detyruar mbi një milion të largohen nga shtëpitë e tyre, pas urdhrave të Izraelit për largimin e banorëve nga disa pjesë të vendit.
“Kufiri i ri izraelit duhet të jetë lumi Litani”
Smotrich u shpreh për një radio izraelite se fushata ushtarake në Liban “duhet të përfundojë me një realitet krejtësisht të ndryshëm, si sa i përket vendimit ndaj Hezbollahut, ashtu edhe ndryshimit të kufijve të Izraelit”. Ai shtoi: “E them këtu qartësisht… në çdo forum dhe në çdo diskutim: kufiri i ri izraelit duhet të jetë lumi Litani.”
Smotrich, i cili drejton një parti të vogël të ekstremit të djathtë në kabinetin e kryeministrit Benjamin Netanyahu, shpesh bën deklarata që tejkalojnë politikën zyrtare izraelite. Zyra e Netanyahut nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment mbi këto deklarata.
Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, kishte lënë të kuptohej më herët gjatë këtij muaji për plane për të marrë territor libanez, duke deklaruar se Libani mund të përballet me “humbje territori” nëse nuk e çarmatos Hezbollahun.
Deklaratat e Smotrich kanë pasur jehonë të madhe në Liban, vend që po përpiqet të dalë nga një cikël shumëdekadësh pushtimesh dhe okupimesh nga fqinji i tij. Forcat izraelite kanë kryer sulme të përsëritura ndaj Libanit që nga viti 1978 dhe e kanë mbajtur të pushtuar jugun nga viti 1982 deri në vitin 2000.
Një zyrtar libanez i tha agjencisë së lajmeve Reuters se Bejruti ende mbështetet te fuqitë e huaja për të ushtruar presion të mjaftueshëm ndaj Izraelit për t’i dhënë fund luftës, duke përmendur propozimin e presidentit Joseph Aoun për të zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta.
Ushtria izraelite deklaron se trupat e saj në Liban po kryejnë manovra tokësore dhe bastisje ndaj militantëve të Hezbollahut dhe depove të armëve, me qëllim mbrojtjen e banorëve në veri të Izraelit nga Hezbollahu, i cili ka lëshuar qindra raketa përtej kufirit që nga 2 marsi. Qeveria libaneze ka ndaluar aktivitetin ushtarak të Hezbollahut dhe ka shprehur dëshirën për t’u angazhuar në bisedime të drejtpërdrejta me Izraelin.