Izraeli miraton ligj kontrovers për dënimin me vdekje të palestinezëve
Parlamenti i Izraelit ka miratuar të hënën një ligj të diskutueshëm që parashikon dënimin me vdekje për palestinezët e dënuar nga gjykatat ushtarake për sulme vrasëse. Ky veprim përmbush një premtim të aleatëve të ekstremit të djathtë të kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Ligji do ta bënte të detyrueshëm “dënimin me vdekje për terroristët”, por në praktikë do të zbatohej vetëm për palestinezët e dënuar për sulme kundër Izraelit. Projektligji u miratua me 62 vota pro dhe 48 kundër. Kryeministri Netanyahu ishte mes atyre që votuan pro, ashtu si edhe ministri i tij, Itamar Ben-Gvir.
Sipas projektligjit, “kushdo që me dashje ose nga pakujdesia shkakton vdekjen e një qytetari izraelit për arsye racizmi ose armiqësie ndaj një komuniteti, dhe me qëllim dëmtimin e Shtetit të Izraelit dhe rilindjes së popullit hebre në tokën e tij, do të përballet me dënimin me vdekje.”
Para votimit, projektligji ishte kritikuar ashpër nga ministrat e jashtëm të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Britanisë. Ata theksuan se ky ligj çon në diskriminim de facto kundër palestinezëve dhe minon angazhimet e Izraelit ndaj parimeve demokratike.
Një organizatë joqeveritare izraelite për të drejtat e njeriut njoftoi se po apelonte në Gjykatën Supreme të Izraelit, duke sfiduar vlefshmërinë e ligjit, menjëherë pas miratimit të tij nga Knesseti. Shoqata për të Drejtat Civile në Izrael (ACRI) deklaroi se ligji është “kushtetues, de facto diskriminues dhe, për palestinezët në Bregun Perëndimor, i miratuar pa bazë ligjore.”
Në Izrael, dënimi me vdekje për krimin e vrasjes u hoq në vitin 1954. I vetmi person i ekzekutuar ndonjëherë në vend pas një gjyqi civil ishte Adolf Eichmann, në vitin 1962. Gjykatat ushtarake kanë pasur mundësinë të vendosin dënimin me vdekje për të pandehurit, por nuk e kanë bërë këtë deri më tani.
