Izraeli sulmon Libanin, tre të vrarë dhe disa të plagosur
Sulmet ajrore izraelite në Liban kanë shkaktuar vdekjen e tre personave dhe plagosjen e disa të tjerëve më 8 nëntor, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë. Izraeli njoftoi se një nga sulmet goditi trafikantë armësh të një grupi të lidhur me Hezbollahun.
Hezbollahu është shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka në listën e zezë krahun ushtarak të këtij grupi libanez, por jo edhe partinë politike.
Agjencia shtetërore e lajmeve në Liban raportoi se dy vëllezër nga qyteza Sheba u goditën nga sulmet teksa udhëtonin në një rrugë pranë malit Hermon, në juglindje të Libanit. Sipas raportit, automjeti i tyre mori flakë, duke rezultuar me vdekjen e tyre.
Ushtria izraelite konfirmoi se ka kryer sulme afër Shebës dhe tha se ka vrarë dy trafikantë nga Brigada për Rezistencë Libaneze, një grup i lidhur me Hezbollahun. “Terroristët ishin të përfshirë në trafikimin e armëve që përdoren nga Hezbollahu dhe aktivitetet e tyre përbënin shkelje flagrante të mirëkuptimit mes Izraelit dhe Libanit,” deklaroi ushtria izraelite, duke iu referuar armëpushimit që i dha fund më shumë se një viti armiqësi mes Izraelit dhe Hezbollahut, grup i mbështetur nga Irani.
“Ushtria izraelite do të vazhdojë të operojë në mënyrë që të eliminojë çdo rrezik që i kanoset shtetit të Izraelit,” paralajmëroi ushtria.
Ministria libaneze e Shëndetësisë konfirmoi numrin e viktimave në Sheba dhe më vonë raportoi se gjatë një sulmi tjetër ajror ndaj një automjeti në fshatin Barashit, në jug të Libanit, u vra edhe një person dhe u plagosën katër të tjerë. Një sulm i ngjashëm ajror izraelit goditi mëngjesin e së shtunës edhe një automjet tjetër pranë një spitali në Bint Jbeil, duke plagosur shtatë persona, tha Ministria e Shëndetësisë.
Sulmet e fundit vijnë ndërkohë që Bashkimi Evropian shprehu shqetësime lidhur me sulmet e vazhdueshme izraelite, pavarësisht armëpushimit të arritur nëntorin e vitit të kaluar. “Fokusi i të gjitha palëve duhet të jetë në ruajtjen e armëpushimit dhe përparimit të arritur deri më tani,” tha zëdhënësi për çështje të jashtme i Komisionit Evropian, Anouar El Anouni.
Izraeli argumenton se Libani po vepron shumë ngadalë për të çarmatosur Hezbollahun dhe insiston se ka të drejtë të kryejë operacione për të mbrojtur kufijtë dhe qytetarët e tij nga sulmet. Të enjten, Izraeli kreu një sërë sulmesh ajrore në jug të Libanit dhe paraprakisht paralajmëroi civilët të evakuoheshin nga zonat që do të shënjestronte.
