Izraeli pretendon se ka eliminuar dy anëtarë të Hezbollahut në Liban
Ushtria izraelite njoftoi sot se ka eliminuar dy anëtarë të organizatës shiite pro-iraniane Hezbollah gjatë sulmeve ajrore të kryera dje në jug të Libanit, pavarësisht se një armëpushim është zyrtarisht në fuqi.
“Në sulmet e së martës, ushtria izraelite goditi dhe neutralizoi dy terroristë të Hezbollahut në zonat Bin Xhbeil dhe Blida”, thuhet në deklaratën e ushtrisë.
Sipas pretendimeve izraelite, personi i eliminuar në Bin Xhbeil merrte pjesë në aktivitete ushtarake të Hezbollahut, ndërsa ai në Blida mblidhte informacione rreth forcave izraelite.
Ky njoftim vjen vetëm një ditë pas një sulmi izraelit në kampin palestinez të refugjatëve Ain al-Hilëeh, në Sidon, i cili, sipas Ministrisë së Shëndetësisë libaneze, mori jetën të paktën 13 personave. Izraeli pretendon se goditi një qendër stërvitore të Hamasit në kamp. Hamasi mohon kategorikisht këto akuza dhe pretendon se nuk ka baza ushtarake në kampet libaneze.
Ushtria izraelite kishte njoftuar më parë edhe vrasjen e një tjetër anëtari të Hezbollahut në zonën al-Mansuri, gjithashtu në jug të Libanit.
Sulmet izraelite në Liban vazhdojnë pavarësisht armëpushimit të nëntorit 2024, i cili synonte të ndalonte një konflikt që zgjati mbi një vit, duke përfshirë dy muaj luftë të hapur me Hezbollahun, një aleat i Hamasit. Ndërkohë, në Gaza, lufta mes Izraelit dhe Hamasit u ndërpre me një armëpushim të brishtë më 10 tetor.
Izraeli deklaron se godet vetëm objektiva të Hezbollahut ose Hamasit në Liban, por tensionet mbeten të larta dhe armëpushimi duket gjithnjë e më i brishtë.
