Ish-sekretari i KiE komunikon me Epstein pas vizitës në Shqipëri
Departamenti i Drejtësisë publikoi dje të dhëna të tjera nga dosjet hetimore. Mes 3 milionë materialeve të reja të publikuara, përmendet edhe Shqipëria.
Në faqen e Departamentit të Drejtësisë rezulton një e-mail që ish-Sekretari i Përgjithshëm i KiE, Thorbjørn Jagland, i dërgoi Epstein pas vizitës së tij në Shqipëri, në vitin 2012. Në komunikimin elektronik, Jagland shkruan: “Kam qenë në Tiranë, vajza të jashtëzakonshme”.
E-maili është dërguar më 25 maj 2012, ndërsa vizita zyrtare e Jagland në Shqipëri është zhvilluar më 24 maj 2012, sipas axhendave dhe burimeve publike.
Sipas arkivave zyrtare, gjatë vizitës së tij në Tiranë, Jagland ka zhvilluar takime institucionale me:
- Edmond Haxhinaston, ministër i Jashtëm i kohës
- Sali Berishën, kryeministër
- Bamir Topin, president i Republikës
Vizita ishte pjesë e angazhimeve të Këshillit të Europës në Shqipëri. Thorbjørn Jagland ka shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, institucioni paneuropian që mbikëqyr demokracinë, të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës në 47 vende. Ai ka qenë gjithashtu ish-kryeministër dhe ish-ministër i Jashtëm i Norvegjisë.
E-maili i publikuar nuk përmban detaje mbi takime private apo aktivitete jashtë axhendës zyrtare të vizitës në Tiranë. Komenti i bërë në këtë komunikim privat nuk shoqërohet me shpjegime apo kontekst shtesë dhe, deri më tani, nuk ka prova publike që të tregojnë për ndonjë vijimësi konkrete përtej këtij mesazhi.
