Jetëgjatësia në Shqipëri: krahasimi me BE dhe rajonin

Shqiptarët jetojnë më pak se vendet e BE-së, por më shumë se rajoni

Në vitin 2024, jetëgjatësia mesatare në lindje në Bashkimin Europian arriti në 81.5 vjet, duke shënuar një rritje prej 0.1 viti krahasuar me vitin 2023. Pas një rënieje të regjistruar në vitet 2020 (80.4 vjet) dhe 2021 (80.1 vjet) për shkak të pandemisë COVID-19, jetëgjatësia është rikuperuar dhe ka kaluar nivelet e vitit 2019 (81.3 vjet).

Për Shqipërinë, të dhënat më të fundit të Eurostat janë për vitin 2022, ku jetëgjatësia në lindje ishte 79.1 vjeç. Megjithatë, të dhëna të tjera nga INSTAT tregojnë se ky tregues ka qenë në rritje edhe në Shqipëri, duke arritur rreth 80 vjeç në vitin 2024. Sipas këtyre të dhënave, gratë shqiptare pritet të jetojnë mesatarisht 82.5 vjeç dhe burrat 78.6 vjeç.

Në këto nivele, rreth 79-80 vjeç, jetëgjatësia në Shqipëri është më e ulët se mesatarja e BE-së dhe ajo e shumë vendeve të Europës Perëndimore dhe Veriore. Megjithatë, shqiptarët jetojnë më gjatë se popullsitë e vendeve të rajonit, duke lënë pas malazezët (77.6 vjet) dhe serbët (76.2 vjet). Serbët, me këtë tregues, renditen të parafundit në Europë, duke lënë pas vetëm bullgarët (75.8 vjet). Të dhënat për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut mungojnë.

Të dhënat e Eurostat për vitin 2022 sugjerojnë se veriu i Shqipërisë ka tendencën për të pasur një jetëgjatësi më të ulët, me mesatarisht 79.2 vjeç, krahasuar me 80.7 vjeç në qendër dhe 80.77 vjeç në jug. Aksesi më i kufizuar në shërbimet shëndetësore vlerësohet si një nga arsyet kryesore të kësaj diference.

Jetëgjatësia në lindje përcaktohet si numri mesatar i viteve që pritet të jetojë një person i lindur në një vit të caktuar, duke u bazuar në normat aktuale të vdekshmërisë.

Gratë jetojnë më shumë se burrat

Në vitin 2024, jetëgjatësia mesatare në lindje për gratë në BE arriti në 84.1 vjeç (një rritje prej 0.1 vjeti krahasuar me vitin 2023), ndërsa për burrat ishte 78.9 vjet (një rritje prej 0.2 vjetësh). Kjo tregon se gratë pritet të jetojnë mesatarisht 5.2 vjet më gjatë se burrat.

Ky diferencë gjinore ndryshon ndjeshëm mes vendeve të BE-së. Në Letoni, gratë pritet të jetojnë 9.8 vjeç më shumë se burrat, e ndjekur nga Lituania (8.6 vjet) dhe Estonia (8.4 vjet). Hendeku më i vogël mes gjinive u regjistrua në Holandë (2.8 vjet), Suedi (3.1 vjet) dhe Irlandë (3.4 vjet). Në Shqipëri, ky hendek është më i ulët se mesatarja e BE-së, duke qenë 3.9 vjet, sipas të dhënave të Eurostat.

Renditja Evropiane

Sipas Eurostat, vendet e Europës Perëndimore dhe Nordike kanë jetëgjatësi dukshëm më të lartë krahasuar me vendet e Europës Lindore. Zvicra kryeson listën me 84.3 vjet, e ndjekur nga Lihtenshtajni (84.2 vjet) dhe Spanja (84 vjet). Vende të tjera me jetëgjatësi shumë të lartë përfshijnë Suedinë (83.8 vjet), Italinë (83.7 vjet) dhe Qipron (83.5 vjet).

Në anën tjetër të renditjes, jetëgjatësia më e ulët në kontinent regjistrohet kryesisht në vendet e Europës Lindore dhe Juglindore. Bullgaria ka nivelin më të ulët me 75.8 vjet, e ndjekur nga Serbia (76.2 vjet), Letonia (76.4 vjet), Rumania (76.5 vjet) dhe Hungaria (76.8 vjet).

Në nivel rajonal brenda BE-së, katër rajone arritën një jetëgjatësi në lindje prej 85 vjetësh ose më shumë: rajoni spanjoll Comunidad de Madrid (85.7 vjet), rajonet italiane Provincia Autonoma di Trento dhe Provincia Autonoma di Bolzano/Bozen, si dhe rajoni i kryeqytetit suedez Stockholm, të gjitha me 85.0 vjet.

Në anën tjetër, ndër pesë rajonet e BE-së me jetëgjatësinë më të ulët në lindje, tre ndodhen në Bullgari: Severozapaden (73.9 vjet), Severen tsentralen (74.9 vjet) dhe Severoiztochen (75.4 vjet). Dy rajonet e tjera janë Mayotte në Francë (74.5 vjet) dhe Észak-Magyarország në Hungari (75.1 vjet).

Scroll to Top