Prokuroria e Posaçme i kërkoi rikthimin në burg, Jorgo Goro vetëdorëzohet në polici
Ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, është rikthyer në qeli pas një vendimi të formës së prerë nga Apeli i Posaçëm i Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Ai është paraqitur pasditen e djeshme në Komisariatin e Vlorës, ku është ekzekutuar masa “arrest me burg”.
Vendimi i Apelit konfirmoi dënimin me 2 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ky dënim është reduktuar në 1 vit e 4 muaj heqje lirie. Sipas përllogaritjeve të Prokurorisë së Posaçme, duke marrë në konsideratë kohën e kaluar në paraburgim, Goros i mbeten për të vuajtur edhe 6 muaj e 10 ditë.
Çështja për të cilën ai është dënuar lidhet me tjetërsimin e një prone në zonën e Livadhës. Ai ishte shpallur fajtor edhe në shkallë të parë nga Gjykata e Posaçme më 30 korrik 2025.
Ndërkohë, më herët, Goro kishte vuajtur 17 muaj burg nga një tjetër dënim prej 2 vite e 20 ditësh, që lidhej me tjetërsimin e një sipërfaqeje prej 10 mijë metrash katrorë tokë në zonën e Gjilekës, në Himarë. Edhe në atë rast ai përfitoi ulje dënimi për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar, duke u liruar më herët.
