Jorgo Goro transferohet në burgun e Fierit për tjetërsim prone

Jorgo Goro transferohet në burgun e Fierit

Ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, është transferuar drejt burgut të Fierit. Ai u vetëdorëzua në Komisariatin e Vlorës pasi SPAK lëshoi urdhër-ekzekutimi për rikthimin e tij në burg.

Pavarësisht vetëdorëzimit, më herët mbrojtja e Jorgo Goros kishte depozituar një kërkesë për revokimin e urdhrit të ekzekutimit, duke argumentuar se dënimi ishte shlyer përmes kohës së kaluar në paraburgim.

Jorgo Goro ishte liruar nga burgu më 12 gusht të vitit të kaluar, pasi kishte vuajtur 17 muaj burgim, pjesë e dënimit fillestar të dhënë nga Shkalla e Parë e GJKKO.

Vendimi i Apelit të Gjykatës së Posaçme lidhet me çështjen e tjetërsimit të një prone në zonën e Livadhës, Himarë. Goro ishte dënuar në shkallë të parë nga GJKKO më 30 korrik 2025 me 2 vite burg. Ky vendim u la në fuqi nga Apeli, por me gjykim të shkurtuar, dënimi u ul në 1 vit e 4 muaj.

SPAK ka bërë përllogaritjen e kohës së vuajtur në paraburgim dhe ka konstatuar se Goros i mbeten edhe 6 muaj e 10 ditë për të shlyer dënimin.

Ndërkohë, më parë ai kishte vuajtur 17 muaj burgim për një tjetër çështje, lidhur me tjetërsimin e 10 mijë metrave katrorë tokë në Gjilek, Himarë. Nga ky dënim, ai kishte përfituar ulje falë procedurës së gjykimit të shkurtuar dhe si pasojë ishte liruar.

Scroll to Top