Shërbime automatike dhe pagesë në e-Albania, Kadastra digjitalizohet tërësisht në 2026
Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), Lorena Goxhobelli, gjatë një tryeze partneriteti të organizuar për të diskutuar arritjet, risitë dhe sfidat e ASHK-së në fazën aktuale të transformimit, theksoi se puna për digjitalizimin po përparon me ritme të mira.
Sipas saj, ky proces jo vetëm lehtëson punën e përditshme të agjencisë, por mbi të gjitha rrit ndjeshëm cilësinë dhe sigurinë e informacionit kadastral për çdo qytetar.
“Sot jemi më pranë se kurrë digjitalizimit të hartave kadastrale. Së bashku me UNOPS, kemi nisur punën për digjitalizimin e plotë të 33 mijë planshetash. Fundi i vitit 2026 do të na gjejë me një Kadastër tërësisht digjitale”, tha Goxhobelli.
Kadastra ka shtuar së fundmi numrin e shërbimeve automatike në 10, duke përdorur teknologjinë blockchain. Gjithashtu, është finalizuar mundësia e kryerjes së pagesës direkt përmes portalit e-Albania me kartë bankare, duke eliminuar nevojën për paraqitje fizike në postë apo sportelet bankare.
“Digjitalizimi i të dhënave dhe përdorimi i teknologjisë blockchain na ka dhënë mundësinë që të automatizojmë një pjesë të shërbimeve tona. Në fillim të 2025 kishim 5 shërbime automatike dhe sot ofrojmë 10 të tilla për qytetarët. Aktualisht, 10 deri në 15% e shërbimeve tona ditore gjenerohen automatikisht nga sistemi”, shpjegoi Goxhobelli.
Ajo shtoi se finalizimi i mundësisë së pagesës përmes e-Albania me kartë bankare, një funksionalitet për të cilin është punuar intensivisht me AKSHI, është një lajm i mirë, pasi qytetarët tashmë mund të kryejnë pagesën aty ku bëjnë aplikimin, vetëm me një klik.
Goxhobelli theksoi se transformimi digjital nuk nënkupton distancim nga qytetari, por përkundrazi synon thjeshtësi, aksesueshmëri dhe kohë më të shkurtër trajtimi për aplikimet.
Një tjetër objektiv ambicioz i ASHK-së për vitin 2026 është shfrytëzimi i avantazheve që krijon Inteligjenca Artificiale.
“Me përfundimin e digjitalizimit të të dhënave kadastrale, mendojmë se krijohen të gjitha parakushtet për shfrytëzimin e benefiteve që sjell përdorimi i Inteligjencës Artificiale, e cila besojmë fort se do t’i japë një hov të ri mënyrës se si u shërbejmë qytetarëve me cilësi dhe në kohë”, u shpreh ajo.
Ndërkohë që fokusi strategjik i këtij viti ka qenë digjitalizimi dhe regjistrimi fillestar, dy procese themelore që po përmirësojnë shërbimin ndaj qytetarëve dhe po vendosin bazat për garantimin e sigurisë dhe qartësisë së të drejtave pronësore, një tregues tjetër domethënës për ASHK-në është ulja e kohës së trajtimit të aplikimeve të qytetarëve. Aktualisht, 79% e aplikimeve trajtohen brenda afateve ligjore.
Në Tryezën e Partneritetit të ASHK-së morën pjesë:
- Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo
- Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Adelajda Roka
- Shefja e Bashkëpunimit pranë Delegacionit të BE, Ritva Heikkinen
- Kreun i Zyrës së Këshillit të Evropës në Shqipëri, Giulia Re
- Përfaqësues të institucioneve të tjera shqiptare dhe grupeve të interesit të lidhura me çështjet e pronësisë, shërbimit noterial, tregut të pasurive të paluajtshme, etj.
