Samiti i BE/ Kaja Kallas: Marrëdhëniet transatlantike “u lëkundën”, çdo përçarje mes SHBA-së dhe Evropës i shërben kundërshtarëve
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian, Kaja Kallas, ka theksuar se marrëdhëniet transatlantike pësuan goditjen më të rëndë javën e kaluar. Megjithatë, ajo shtoi se Evropa nuk do të braktisë marrëdhëniet e mira të krijuara gjatë viteve, për shkak të mosmarrëveshjeve të fundit.
Këto deklarata Kallas i bëri gjatë mbërritjes në Samitin e BE. Ajo gjithashtu nënvizoi se çdo përçarje mes aleatëve, SHBA-së dhe BE-së, u shërben vetëm kundërshtarëve.
“Marrëdhëniet transatlantike pësuan një goditje të rëndë javën e kaluar. Por Evropa nuk dëshiron të hedhë poshtë 80 vjet marrëdhënie të mira për shkak të mosmarrëveshjeve. Sondazhet, nga ana tjetër, tregojnë se shumica e amerikanëve e konsiderojnë Evropën aleatin e tyre kryesor. Çdo përçarje midis aleatëve, midis SHBA-së dhe Evropës, u sjell dobi kundërshtarëve tanë”, tha ajo.
