Kanceri Kolorektal te të Rinjtë: Rreziku Po Rritet

Kanceri kolorektal, alarm për të rinjtë: Rriten rastet dhe vdekshmëria nën moshën 50 vjeç

Kanceri kolorektal po prek gjithnjë e më shumë të rinjtë, duke ngritur shqetësime mes ekspertëve për rrezikun në rritje.

Kjo sëmundje nuk është më një kërcënim vetëm për personat e moshuar, por po shfaqet gjithnjë e më shpesh edhe te burrat dhe gratë e reja. Aktualisht, ai është shkaku kryesor i vdekjeve nga kanceri tek amerikanët nën moshën 50 vjeç.

Vdekja e aktorit James Van Der Beek, i cili ndërroi jetë në moshën 48-vjeçare, si dhe ndarja nga jeta e yllit të “Black Panther”, Chadwick Boseman, në moshën 43-vjeçare, kanë nxjerrë në pah rrezikun që kjo sëmundje paraqet për brezat e rinj.

“Po vërejmë gjithnjë e më shumë persona në të 20-at, 30-at dhe 40-at që po zhvillojnë kancer të zorrës së trashë. Në fillim të karrierës sime, askush në atë moshë nuk kishte kancer kolorektal,” tha Dr. John Marshall nga Qendra Gjithëpërfshirëse e Kancerit Lombardi në Universitetin Georgetown, i cili ka mbi tre dekada përvojë si mjek onkolog. Sipas tij, kjo tendencë po trondit komunitetin mjekësor.

Sa i përhapur është kanceri kolorektal?

Sipas “American Cancer Society”, më shumë se 158 mijë raste të kancerit kolorektal pritet të diagnostikohen këtë vit në SHBA. Në të gjitha grupmoshat, ai renditet si shkaku i dytë kryesor i vdekjeve nga kanceri, pas kancerit të mushkërive, i cili pritet të marrë mbi 55 mijë jetë këtë vit.

Në popullatën e përgjithshme, rastet dhe vdekjet kanë shënuar një rënie të lehtë vitet e fundit. Kjo lidhet pjesërisht me testet e depistimit, të cilat zbulojnë tumoret herët, kur trajtimi është më efektiv – ose madje i parandalojnë, nëse zbulohen dhe hiqen formacione parakanceroze.

Scroll to Top