Mazhoranca propozon Denar Bibën dhe Eldian Ballën si kandidatë për në Komisionin e Konkurrencës.
Mazhoranca në Kuvendin e Shqipërisë ka vendosur të propozojë për postin e anëtarit të Komisionit të Konkurrencës, që pritet të mbajë edhe detyrën e kryetarit, kandidaturat e Denar Bibës dhe Eldian Ballës.
Mazhoranca ka paraqitur dy kandidatura alternative. Megjithatë, sipas burimeve nga Kuvendi, besohet se kandidati kryesor për t’u votuar në krye të Autoritetit të Konkurrencës do të jetë Denar Biba.
Gjatë prezantimit të kandidaturës së tij para Komisionit Kuvendor për Financat, Ekonominë dhe Punësimin, kryetari aktual, Denar Biba, theksoi punën e bërë për forcimin e institucionit dhe kërkoi mbështetje për vazhdimin e konsolidimit të mëtejshëm të tij.
Në vizionin e tij për të ardhmen, ai përmendi si objektiva kryesorë:
- Mbylljen e kapitullit VIII të procesit të integrimit në periudhën 2026-2027.
- Transformimin e institucionit nga “polic i tregut” në partner të ekonomisë kombëtare dhe zhvillimit.
- Projektimin e instrumenteve ligjorë analitikë dhe specifikë për ekonominë dixhitale.
Kandidati Eldian Balla vjen nga bota akademike, me përvojë në mësimdhënie universitare, kërkim shkencor dhe menaxhim marketingu në sektorin privat. Që nga tetori 2010, ai është lektor me kohë të plotë në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Fakulteti i Biznesit.
Në prezantimin e tij para Komisionit, ai theksoi nevojën për një qasje proaktive, nëpërmjet analizave dhe monitorimeve të vazhdueshme për tregjet strategjike. Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e forcimit të dimensionit analitik në procesin e vendimmarrjes dhe të rritjes së ndërgjegjësimit të publikut mbi rregullat e konkurrencës.
Shpallja e vendit vakant në Komisionin e Konkurrencës u bë në fund të janarit, përpara përfundimit të mandatit të anëtarit dhe kryetarit aktual, Denar Biba.
Kriteret kryesore për kandidatët përfshijnë:
- Të jenë shtetas shqiptarë.
- Të kenë jo më pak se 15 vjet vjetërsi pune në profesion.
- Të jenë pjesëtarë të trupit akademik universitar ose të mbajnë titullin apo gradë shkencore në fushën e ekonomisë ose të drejtësisë, në specialitetin “E drejtë civile/ administrative”, për jo më pak se 5 vjet.
- Të mos jenë larguar nga puna ose nga shërbimi civil me masë disiplinore.
Sipas ligjit, anëtarët e Komisionit të Konkurrencës zgjidhen nga Kuvendi. Një anëtar propozohet nga Presidenti i Republikës, dy anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave dhe dy anëtarë propozohen nga Kuvendi.
Ligji parashikon që anëtarët e Komisionit zgjidhen me shumicë votash, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, për një periudhë 5-vjeçare. Mes tyre, Kuvendi i Shqipërisë emëron edhe Kryetarin e Komisionit.
