Die. Sht 23rd, 2018

Kaos te Milani, Gatusso: Ditë të vështira, por askush nuk ka kërkuar të largohet

Milani nga sot nuk është më në zotërimin e kinezëve pasi Yonghong Li nuk ka arritur të paguajë këstin te fondi Elliot, që ka sponsorizuar blerjen, ndaj përkohësisht në drejtim të klubit do të jetë kompania amerikane.

Ndërkohë që po ndodhnin këto ndryshime skuadra ka nisur sot përgatitjet për sezonin e ri. Në intervistë për mediat trajneri Gatusso ka folur për këtë çështje, por edhe për të tjera.

“Duhet të rifillojmë me shumë entuziazëm, alibitë t’i lëmë mënjanë, jemi këtu për të punuar. Pastaj të shohim se ku do të arrijmë, probleme ka dhe janë të shumta, por ne kemi detyrën të shohim para. Këto kanë qenë 50 ditë jo të lehta për mua, por kam kaluar edhe më keq, edhe në klube që nuk janë si Milani. Kam dëgjuar shumë zëra, por deri më sot, asnjë lojtar nuk më ka kërkuar të largohet”, shpjegoi trajneri.

“Unë shpresoj që të vijë ndonjë lojtar i ri, pasi kemi nevojë. Por mund të mbetemi edhe kështu, ndonëse jam i ndërgjegjshëm se skuadrat e tjera që ishin të forta, janë përforcuar edhe më. Nuk duhet të afrojnë lojtarë sa për të thënë, por futbollistë funksionalë që mund të garantojnë një përmirësim.

Duhet një alternativë për sulmin e krahut dhe një lojtar me karakteristikat e Kesi. Kemi katër sulmues, nëse nuk lëviz asnjëri, atëherë do të kërkojmë lojtarë për role të tjera. Shpresoj që Baka të vijë me dëshirën për të djersitur dhe jo me atë për t’u larguar me çdo kusht. Nëse qëndron, duhet të qëndrojë si them unë e jo si thotë ai, nëse ka nevojë që ta përkëdhel, e përkëdhel unë. Donaruma apo Reina? Kush është më mirë, luan. Më mirë të kesh dy portierë të mëdhenj se të mos kesh. Do ta kem unë të vështirë të zgjedh por më mirë kështu”, deklaroi Gatuzo në konferencën e parë të sezonit.

(InfoPasqyra/BW)

Kategori