Kapja me “IMSI Catcher”: Si ra në kurth Aldo Avdyli, i cili iu mor ADN për 2 atentate
Aldo, i njohur edhe si Elidon Avdyli, 37-vjeçari nga Shijaku, personazh i njohur në botën e krimit dhe për Policinë e Shtetit, u kap në flagrancë në një apartament të marrë me qira nga Dorjan Sherifi.
Ai kishte zgjedhur të vendosej në këtë apartament, shumë pranë një kazinoje në zonën e “Liqenit të Thatë”. Sipas informacioneve të policisë kriminale, Avdyli kishte arritur të strehohej në atë zonë me qëllim krijimin e një baze, për të përgatitur më pas kushtet për kryerjen e një vrasjeje.
Megjithatë, lëvizjet e tij kishin rënë në gjurmë falë një agjenti policie, si pasojë edhe e një gabimi taktik të vetë Aldo Avdylit në fillim të tetorit 2025. Informacionet e klasifikuara siguruar nga gazetari Elton Qyno tregojnë se Aldo Avdyli kishte kërcënuar në telefon nën/drejtorin e policisë Durrës, Bujar Deliallisin.
Kërcënimi thuhet se është kryer në periudhën kur SPAK kishte nxjerrë urdhër-arreste dhe policia kriminale po kryente kontrolle në Shijak dhe disa banesa me qëllim kapjen e Avdylit. Ky ishte masa e dytë e sigurisë “Arrest në burg” ndaj 37-vjeçarit, i cili tashmë akuzohet për organizimin dhe financimin e Edmir Koçit, alias Malokut, në vitin 2021 në Durrës.
Masa e parë “Arrest me burg” ndaj Avdylit ishte vendosur në maj 2024, duke e shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme SPAK. Kjo pasi, gjatë një hetimi të dosjes Nr. 59, gjykata i kishte caktuar atij masën e sigurisë “arrest me burg” për akuzën e “sigurimit të kushteve për të kryer vrasjen” ndaj një personi të njohur të botës së krimit, Durim Bamit. Sipas hetimit, Avdyli rezulton pjesë e një grupi prej më shumë se 16 personash, të cilët siguronin mjetet dhe planifikonin eleminimin fizik të Durim Bamit, por nuk ia arrinin dot.
Nën presionin e masës së dytë të sigurisë, Avdyli rezulton se ishte vendosur në Tiranë. Ndërkohë që fshihej, ai ka kërcënuar në telefon nën/drejtorin e policisë së Durrësit, çka solli përqëndrimin më të madh të forcave dhe teknikës policore për kapjen e tij.
Për lokalizimin e Aldo Avdylit, policia kriminale ka përdorur pajisjen përgjuese “IMSI Catcher”, një aparat izraelit që është në gjendje të përgjojë dhe lokalizojë dhjetëra numra njëherësh. Pikërisht përmes kësaj pajisjeje u lokalizua numri që përdorte Aldo Avdyli dhe më pas pozicioni i tij i saktë.
Personi më i kërkuar nga SPAK dhe Policia e Shtetit u zbulua se ndodhej në një apartament pranë një kazinoje tek “Liqeni i Thatë” në Tiranë. Nga të dhënat e përgjuara, policia ishte e bindur se ai ishte vendosur aty për të realizuar një vrasje tjetër, por pa ditur identitetin e objektivit.
Duke ndjekur dhe analizuar bisedat e përgjuara, policia e Tiranës vendosi të ndërhynte për arrestimin e tij, duke parandaluar kryerjen e një ngjarjeje tjetër kriminale. Mëngjesin e tre ditëve më parë, skuadra të shumta operacionale dhe të RENEA-s rrethuan zonën, duke futur në kurth Aldo Avdylin. Ai, edhe pse i armatosur, nuk mundi të bënte asgjë dhe u dorëzua plotësisht para forcave të policisë.
Aldo Avdyli u transportua menjëherë në ambientet e policisë së Tiranës, ku u pyet nga disa oficerë. Gazetari Qyno mësoi se Aldo Avdyli u pyet për vrasjen e Bujar Nasufit, i cili u ekzekutua në mbrëmjen e 21 janarit 2025 në sy të gruas së tij. Policia kishte dyshime se Avdyli mund të ishte paguar nga vëllezërit Jurgen dhe Voltan Xhani, por këto dyshime u hodhën poshtë kur Aldo Avdyli nuk pranoi asnjë çast të ketë marrë pjesë në këtë vrasje, duke pohuar shkurt: “…çfarë di për këtë ngjarje e kam dëgjuar dhe parë në televizor…”.
Ngjarja e dytë, për të cilën Avdyli u pyet, është vrasja e Iljaz Çalit, ngjarje kjo e ndodhur më 3 prill 2022 në autostradën Tiranë-Durrës. Edhe për këtë ngjarje, Avdyli mbajti qëndrim mohues, duke vijuar të thoshte: “…çfarë di për këtë ngjarje e kam dëgjuar dhe parë në televizor…”.
Pavarësisht mohimit të dy ngjarjeve, policia i kërkoi Aldo Avdylit të jepte një kampion ADN-je, me qëllim verifikimin e profileve të tij me disa ADN të gjetura në disa vendngjarje kriminale. Avdyli nuk ngurroi dhe dha profilin e ADN-së.
Pas kësaj procedure, 37-vjeçari u nxor nga ambientet e policisë së Tiranës dhe u dërgua nën dy masat e sigurisë “arrest me burg” të vendosura nga Gjykata e Posaçme.