Katari mund të ndërmjetësojë mes SHBA-së dhe Venezuelës
Katari mund të luajë rolin e ndërmjetësuesit në zgjidhjen e krizës mes Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës, nëse Uashingtoni shpreh interes për një gjë të tillë. Këtë deklaratë e bëri Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Shtetit të Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani, gjatë një fjalimi mbajtur në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë në Nju Jork.
Sipas tij, Doha nuk ka ndërmarrë ende asnjë hap konkret në këtë drejtim. Ai shtoi: “Lidhur me përpjekjet tona në Venezuelë, ne filluam të bashkëveprojmë me ta gjatë presidencës së ish-Presidentit të SHBA-së, Joe Biden. Ky bashkëveprim çoi në lirimin e disa qytetarëve amerikanë që u kthyen në shtëpi. Tani, me mbërritjen e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ne kemi rinisur kontaktin me ta. Nëse SHBA-të janë ende të interesuara, ne jemi të gatshëm të veprojmë si ndërmjetës dhe të ndihmojmë në organizimin e procesit të negociatave. Por në këtë kohë, nuk po ndodh asgjë konkrete ose e rëndësishme”, tha ai.
Më parë, gazeta New York Times (NYT) raportoi se Katari synon të ndërmjetësojë në zgjidhjen e krizës në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Karakasit. Sipas burimeve të gazetës, qeveria venezueliane mbështet përpjekjet e Katarit, ndërsa administrata amerikane shfaq më shumë interes për mjete ushtarake sesa për diplomacinë.
